Refugjati kosovar në Londër tregon për suksesin e tij




Në kohën e krizës me refugjatë, një i tillë i suksesshëm ka dhënë rrëfimin e tij për Bloomberg. Arkitekti i njohur kosovar, Përparim Rama, që jeton në Londër, ka thënë se njerëzit ikin nga shtëpitë e tyre kur janë të shtypur. Ai beson se shumë prej azilkërkuesve mund të japin shumë kontribut në shtetet ku shkojnë.

 

Perparim Rama ka ikur nga persekutimi i Serbisë në vitin 1992. Tani, një ndër arkitektët më me zë në Britaninë e Madhe dhe përtej, Rama ka treguar për Bloomberg Bussines se si është të ikësh nga vendi yt, raporton KTV.

Ai kërkoi azil në Angli në moshën 16 vjeçare dhe tregoi se si kur erdhi kishte borxhe, por ky shtet i dha mundësinë që të shkollohej.
Ai tash është pronar i një kompanie arkitektësh që punëson mbi 80 njerëz në Britaninë e Madhe dhe jashtë saj.

Rama tregon se si ka fituar çmime ndërkombëtare me punën e tij dhe ka bërë projekte për yje të famshme të showbizit.

«Ka shumë mësime që qeveria mund të nxjerrë. Duhet ta kuptojmë që njerëzit që po ikin nga shtëpitë e tyre e bëjnë këtë sepse po shtypen, po vriten e masakrohen. Shumë prej tyre janë njerëz vizionarë që duan të ardhme më të mirë për familjet e tyre. Kanë kaluar dete e oqeane që të vijnë këtu tek ne, dhe për shkak të humanitetit ne duhet të kujdesemi për ta. Mendoj se në përgjithësi, imigrantët janë në gjendje të punojnë e të krijojnë vende pune, të bëjnë më të mirën për vete dhe të tjerët», ka thënë Rama, transmeton Koha.net.

Aktualisht 3.2 milionë imigrantë punojnë në Britaninë e Madhe. Qeveria në Londër ka paralajmëruar se do të pranojë edhe 20.000 refugjatë sirianë deri në fund të vitit 2020.