Refugjati kosovar dënohet për shkak të nxitjes kundër refugjatëve

Një 23-vjeçar shqiptar nga Kosova në Gjermani, i cili vetë është dashur të largohet si fëmijë nga vendlindja për shkak të luftës, është akuzuar për nxitje kundër refugjatëve.

Foto: mtkang / Shutterstock

Për shkak të një komenti nxitës i riu shqiptar duhet të paguajë 90 mëditje nga 15 euro – në total një vlerë prej 1’350 eurove. Kështu ka vendosur gjykata e qarkut të Göttingenit, raporton portali gjerman «hna.de».

Sipas zëdhënësit të drejtësisë, 23-vjeçari në mars të këtij viti e kishte komentuar një artikull të gazetës lokale të Göttingenit në faqen e Facebookut mbi çështjen e dorëzimit të kartelave të sigurimit shëndetësor për refugjatët. «Atyre më parë iu duhen dhoma gazi dhe jo kësi budalliqesh…», kishte shënuar ai.

Pas njoftimeve nga lexues të tjerë, redaksia online e medies atëbotë e kishte fshirë menjëherë komentin. Por përdorues të tjerë të kësaj faqeje të internetit e kishin siguruar këtë paraqitje dhe e kanë paditur autorin e komentit.

Me kërkesë të prokurorisë, 23-vjeçari për shkak të nxitjes së urrejtjes merr një dënim prej 90 mëditjesh. Duke qenë se ai e ankimon vendimin, gjykata e qarkut duhej ta trajtonte rastin në një seancë publike. Në një proces të shkurtër, ku i akuzuari nuk duket personalisht, gjykatësi e refuzon ankesën. Nxitja kundër refugjatëve ish refugjatit i kushton 1’350 euro. ks