Refugjatët e shtresës së mesme

Është alarmuese të shohësh lumin e njerëzve që kanë marrë rrugët anembanë Evropës, duke vërshuar fushat dhe malet në zonat kufitare për t’iu shmangur kontrolleve nëpër pika të rregullta të kalimit.




Është po aq tronditëse të shohësh dhjetëra mijëra udhëtarë të lodhur me shpirt, që mezi bëjnë një sy gjumë ndanë hekurudhave ose edhe në qiell të hapur, derisa presin autobusët dhe trenat që t’i dërgojnë edhe më afër destinacionit të tyre, shkruan sot «Koha Ditore».

«Tragjedi»

Dhe kjo pa dyshim se ngreh shumë dilema: çfarë lloj jetese ia kanë kthyer shpinën? Çfarë e ardhme i pret në ndonjërin prej vendeve në Evropë, nëse nuk shkojnë edhe më larg?

«Është tragjedi të shohësh njerëz që kalojnë prej kufirit në kufi, pa e ditur asnjëherë se cili do të jetë kufiri që do ta kalojnë nesër», ka deklaruar Antonio Guterres, drejtues i agjencisë për refugjatë të Kombeve të Bashkuara.

Ai ka deklaruar gjatë takimeve të sivjetme në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se ky është shqetësim në rritje.