Reforma në arsim, parakusht për cilësinë e mësimit

Në Universitetin «Kadri Zeka» në Gjilan është mbajtur debati për reformat në arsimin fillor dhe të mesëm.




Në debat u tha se sfidë për shkollat fillore mbetet fakti se pas mbarimit të klasës së pestë nxënësit kanë probleme me matematikën, gjuhën shqipe dhe edukatën muzikore, shkruan sot «Koha Ditore».

U tha se për mësim efikas duhet secila klasë t`i ketë nga dy mësues, model i cili prej disa kohësh po aplikohet në shkollën fillore «Hil Mosi» në Jabllanicë të Vogël të Pejës.

Riza Mujaj, drejtor i kësaj shkolle, para të pranishmëve ka deklaruar se aplikimi i modelit me nga dy mësimdhënës për secilën paralele ka dhënë efekte pozitive për nxënësit të cilët nuk ngecin më lëndët siç është matematika ose gjuha shqipe. Ai ka thënë se ky model është marrë nga Italia. «Për secilën paralele janë nga dy mësues dhe tash mësuesit e ndajnë lëndët në bazë të vetë ndjenjës dhe shkathesive të tyre. Për shembull gjuhën shqipe me disa lëndë të tjera dhe matematikën me disa lëndë tjera të shkatëthisë në mënyrë që të plotësohen normat e orëve. Neve nuk na lejohet marrja e punëtorëve shtesë nga Drejtoria e Arsimit. Ata dy mësues që njëri e jep gjuhën shqipe dhe lëndë tjera dhe tjetri e jep matematikën dhe lëndët e tjera. Deri në klasën e pestë i përcjellin ata mësues. Këtë model jemi duke aplikuar që nga shtatori në vitin 2001 dhe është model i marrë nga Italia», ka sqaruar Mujaj. Ai ka thënë se me këtë model kjo shkollë është ndër më të mirat në Komunën e Pejës.

Ai thotë se ky model mund që të funksionojë edhe në shkollat e tjera të vendit nëse ka një pajtueshmëri në mes kolegëve.

Ndërsa Bajram Kosumi, rektori i Universitetit të Gjilanit «Kadri Zeka», ka shprehur nevojën e reformimit të sistemit të arsimit në mënyrë që nxënësit në të ardhmen të jenë të përgatitur për tregun e punës. «Kemi raste edhe kur një mësues ka njohuri më shumë në matematikë dhe nuk ka njohuri shumë mbi gjuhën shqipe dhe kjo reflekton tek nxënësit që i përcjell. Dhe këtu ka nevojë për ndryshime në këtë çështje. Duhet të shikohen nevojat e nxënësve por edhe të prindërve, si dhe nevojat e mësimdhënësve e të tregut», ka thënë Kosumi.

Përfaqësuesja e GIZ-it, Sophie Meinke, ka deklaruar se reformat në arsim duhet që të ndodhin në mënyrë që fëmijët të përballen me sfidat e ardhme. «Ne duhet që të kemi një progres të fëmijëve në arsimin primar. Dhe kjo duhet që të arrihet përmes ngritjes së cilësisë në arsim. Arsimi është mjeti transportues i cili fëmijën e sjell deri tek mosha e pjekurisë. Dhe për këtë duhet të punojmë shumë në mënyrë që t’i përgatisim fëmijët në mënyrë që ata t’i zgjidhen problemet dhe sfidat e ardhshme», ka thënë ajo.

Januz Dervodeli , dekani i Fakultetit të Edukimit në Gjilan, ka prezantuar studimin dhe analizën e bërë ku janë anketuar 90 mësimdhënës për sfidat e arsimit të ciklit të ulët. Sipas tij, 57 për qind e mësuesve të anketuar mendojnë se nxënësit por edhe mësimdhënësit janë të ngarkuar me lëndë dhe detyra shtesë ndërsa vlerësojnë se kurrikuli kombëtar nuk gjen zbatim me nxënësit ngase tekstet shkollore nuk janë në harmoni me këtë të fundit.

«60 për qind e të anketuarve mendojnë se duhet të ketë më shumë mësues në shkollën fillore nga klasa e parë deri në të pestën. Ndërsa deklarojnë se hartuesit e kurikulave kombëtare nuk kanë studiuar nevojën vendore për ndryshime kurikuluare dhe njëherësh kanë modifikuar kurikulat e vendeve evropiane. Ndërsa kanë shprehur se mësimdhënësit kanë nevojë për ndihmë në gjuhë shqipe e letërsi , matematikë dhe edukatë muzikore.

Në këtë kontekst profesori Xhevdet Thaçi ka deklaruar se shembullin më të mirë sa i përket cilësisë së arsimit e mban Finlanda, ku kriteret për t’u pranuar si mësimdhënës në shkollat publike janë të rrepta. «Jo çdokush mundet që të bëhet mësimdhënës. Në Fakultetin e Edukimit, të cilët përgatisin mësimdhënësit klasorë, vetëm 10 për qind e aplikantëve mund të pranohen, e refuzohen mijëra të tjerë. Për të qenë mësues në Finlandë përveç studimeve baçelor të gjithë mësuesit duhet të marrin një diplomë masteri dhe të shkruajnë teza të masterit», ka thënë Thaçi.