Reagime të ashpra ndërkombëtare: Shteti i Kosovës sot trafikoi njerëz dhe kjo është e turpshme

Eurodeputetja gjermane Rebecca Harms ka deklaruar se të dëbuarit nga Kosova në Turqi nuk kanë asnjë shans për gjykim të drejtë. Në lidhje me kidnapimin e shtetasve turq në Kosovë kanë reaguar edhe diplomatë dhe gazetarë. Korrespondenti i gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung» për Ballkanin dhe Turqinë ka shkruar: «Turp për Kosovën! Prishtina u involvuar në trafikim të qenieve njerëzore».




Pas kidnapimit të disa qytetarëve turq dhe ekstradimit të tyre në Turqi, e cila i kërkonte si të dyshuar se janë pjesëtarë të Lëvizjes së predikuesit Fethullah Gülen, ka reaguar politikania gjermane Rebecca Harms, e cila është anëtare e Parlamentit Europian. Në profilin e saj në Twitter ajo ka shkruar: «Sipas informatave që kam djali i presidentit të Kosovës (Hashim) Thaçi ka qenë nxënës në një shkollë të Gülenit. Cili mund të jetë shkaku për Kosovën që me forcë t’i kthejë gülenistët në Turqi me shanse të vogla apo joekzistuese për gjykim të drejtë? Sundimi i ligjit?»

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Harms është ndër politikanet më të zëshme në Parlamentin Europian në mbrojtje të drejtave të turqve që janë në shënjestër të regjimit të Rexhep Taip Erdoanit. Ajo disa herë u ka bërë thirrje shteteve europiane të hedhin poshtë fletarrestet turke, duke i cilësuar ato si politike.

Pas arrestimeve ka reaguar edhe ish-ambasadori holandez në Kosovë dhe Maqedoni, Robert Bosch. Ai në profilin e tij në Twitter shkroi: «E dhimbshme të lexosh se qeveria e Kosovës u dorëzua para presionit turk dhe dëboi disa shtetas turq që supozohet të jenë përkrahës të Gülenit. Në një vend europian ky sigurisht nuk është krim. Keq për ta dhe Kosovën!»

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Korrespondenti i gazetës «Frankfurter Allgemeine Zeitung» për Ballkanin dhe Turqinë, Michael Martens, ka shkruar: «Turp për Kosovën! Prishtina u involvua në trafikim të qenieve njerëzore». Martens shkruan në Twitter se me gjithë respektin për dilemat e shteteve të vogla – «turp për qeverinë e Kosovës. Çfarë korie për Hashim Thaçin, çfarë dëshpërimi për të gjithë kosovarët që vlerësojnë të drejtat e njeriut».

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Ercan Karakoyun, kryetar i Fondacionit Dialog dhe Arsim me seli në Berlin, shkroi se gjashtë turqve të dëbuar u kërcënohet burgu dhe tortura. Kjo shkel si Kushtetutën e Kosovës ashtu edhe obligimet e saj ndaj të drejtës ndërkombëtare. Fondacioni Dialog dhe Arsim është i afërt me lëvizjen Gülen. Sipas Karakoyun me aksionin e sotëm në Kosovë Erdoan synon të zgjerojë ndikimin në Ballkan.