«Rasti Oriq» në Zvicër: një mundësi për të nxjerrë Ramush Haradinajn nga burgu?

Nëse autoritetet serbe kanë siguruar «dëshmi të reja» kundër Ramush Haradinajt, situata juridike mund të ndërlikohet. Për të evituar këtë drejtësia kosovare mund t'i dorëzojë Francës një kërkesë për ekstradim të Haradinajt në Kosovë - ashtu siç pati vepruar Bosnja në rastin e Naser Oriqit të arrestuar në Zvicër.

Ramush Haradinaj.



Më 10 qershor 2015 në një pikë kufitare mes Francës dhe Zvicrës u arrestua me kërkesë të Serbisë Naser Oriqi, ish-komandant i forcave boshnjake gjatë rrethimit të Srebrenicës. Njëjtë si Ramush Haradinaj edhe Oriqi ishte akuzuar nga Tribunali i Hagës. Oriq fajësohej për krime ndaj serbëve në rrethinën e Srebrenicës në fillim të viteve ’90. Në mungesë të dëshmieve Haradinaj u lirua nga gjykatësit e Hagës pas dy proceseve gjyqësore, ndërsa Oriqi u lirua pas një procesi gjyqësor.

Drejtësia serbe nuk u pajtua me këto verdikte dhe prej vitesh nuk lë gur pa lëvizur për të arrestuar dhe nxjerr para gjyqit Naser Oriqin dhe Ramush Haradinajn. Pas arrestimit nga forcat kufitare të Zvicrës në pikën kufitare Thônex-Vallard afër Gjenevës, Oriqi kundërshtoi ekstradimin në Serbi. Më 22 qershor 2015 pala serbe dorëzoi në Bernë kërkesën për ekstradim – shoqëruar me «dëshmi të reja» kundër Oriqit. Rreziku që Oriqi t’u dorëzohej autoriteteve serbe ishte i madh.

Zvicra gjendej në një situatë delikate: nga njëra anë duhej respektuar kërkesën e Serbisë të dorëzuar përmes Interpolit, nga ana tjetër duhej menduar për konsekuencat që do të kishte për paqen në rajon ekstradimi i Naser Oriqit në Beograd. Në këtë situatë, më 24 qershor 2015, vetëm dy ditë pas kërkesës serbe, pasoi një kërkese për ekstradim nga Bosnja. Zyra Federale e Drejtësisë në Bernë i dha përparësi kërkesës së Bosnjës me argumentin se veprat që i ngarkoheshin Oriqit ishin kryer në territorin e Bosnjë-Hercegovinës dhe se ai ishte shtetas boshnjak. Rrjedhimisht, Oriq u kthye në Sarajevë.

A mund të jetë «rasti Oriq» në Zvicër një mundësi për të nxjerrë Ramush Haradinajn nga burgu në Francë? Autoritetet e Kosovës duhet të mendojnë edhe në këtë drejtim, nëse opsionet e tjera kanë më pak gjasa për sukses. Nëse autoritetet serbe kanë siguruar «dëshmi të reja» kundër Ramush Haradinajt, situata juridike mund të ndërlikohet. Për të evituar këtë, drejtësia kosovare mund t’i dorëzojë Francës një kërkesë për ekstradim të Haradinajt në Kosovë – ashtu siç pati vepruar Bosnja në rastin e Naser Oriqit të arrestuar në Zvicër.

Pa marrë parasysh cilësinë e akuzave serbe, të cilat mund të jenë edhe të fabrikuara, gatishmëria formale e drejtësisë kosovare që këto akuza t’i shqyrtojë vetë, duke u bazuar në faktin se krimet e supozuara janë kryer në territorin e Kosovës, mund të ketë efekt në vendimmarrjen e autoriteteve gjyqësore franceze.