Rasti në Drenas dhe vetëmallkimi i pavlerë

Disa mendime lidhur me rastin e keqtrajtimit, keqpërdorimit dhe terrorizimit të një vajze në Drenas.

Foto: Shutterstock



Të gjithë atyre personave që u dëshmohet fajësia lidhur me rastin e terrorit psikik dhe terrorit përdhunues në Drenas, duhet të marrin dënimin më të rëndë të mundshëm që parashihet nga ligjet e Republikës së Kosovës. Këtu s’duhet të ketë kompromis. Rastin qëmoti është dashur ta marrë në dorë një ekip i veçantë i Prokurorisë së Kosovës. Ky rast është aq i ndjeshëm, aq mizor, saqë nuk duhet t’u lihet në dorë prokurorëve, gjyqtarëve dhe policëve rajonalë për shkak të anësisë së mundshme. Ende nuk e dimë sa arsimtarë e policë janë të përfshirë në këtë rast, krahas këtyre që po përmenden. Mbetet për të shpresuar se viktima është në gjendje të bashkëpunojë me autoritetet dhe të sqarohet çdo detaj i këtij skandali.

Por në këtë rast ka diçka që nuk shkon. E kam fjalën për një tendencë shoqërore për vetëmallkim në frymën: ja, shihni, kështu jemi ne shqiptarët, pa kulturë, barbarë, kjo është pasqyrë e shoqërisë sonë, çfarë ka bërë vaki në Drenas, s’ka ndodhur kund. Pastaj tentohet që ky rast të përgjithësohet dhe të interpretohet si një njollë që i përket edhe shoqërisë, jo vetëm të dyshuarve për krim.

Vetëmallkimi nuk e shpie askund një shoqëri. Ky krim nuk relativizohet aspak nëse sjellim në kujtesë të publikut se përbindësha publikë e privatë ka plot e përplot. Më 2 mars 1998 vajza 10-vjeçare austriake Natascha Kampusch po shkonte në shkollë, kur punëtori teknik i papunë Wolfgang Přiklopil e futi me forcë në një kamion të vogël dhe e mbajti të mbyllur në shtëpinë e tij për tetë vjet me radhë. Më 23 gusht 2006 Kampusch arriti të arratiset nga burgu privat i Wolfgang Přiklopilit. Kjo ngjarje pati jehonë në mbarë botën. Kampusch ka shkruar libra për tmerrin që ka përjetuar, është xhiruar një film për të, mediat kanë hulumtuar imtësisht këtë kidnapim. Přiklopil vrau veten po atë ditë që viktima e tij arriti të ikë. Rasti është ndriçuar aq sa ka qenë e mundur, por shoqëria austriake nuk ka celebruar rituale vetëmallkimi.

Rasti ka shërbyer si mësim që prindërit të jenë shumë të kujdesshëm në edukimin e fëmijëve, në mbrojtjen e tyre, në zhvillimin e bisedave pa tabu, ku ata krijojnë një ndjenjë të shëndoshë të vetëbesimit dhe janë në gjendje t’i njoftojnë prindërit për çdo përvojë të keqe. Në këtë drejtim duhet të zhvillohet debati edhe në Kosovë. Vetëmallkimet janë të pavlera. Nga aspekti etik medial nuk është mirë të zbulohet apo të aludohet në identitetin e viktimës apo të publikohen fotografi të të dyshuarve për krimin. Të gjithë duhet të shpresojmë se ata do të marrin dënimin e merituar si kriminelë, por derisa të vijë ajo ditë ata në kuptimin ligjor gëzojnë mbrojtje si çdo i pandehur. Kjo mund të mos i pëlqejë çdokujt, por pa marrë parasysh mizorinë e krimit, ligji nuk mund të shkelet me qëllim të kanibalizimit të çdo debati.

Duke lënë anash vetëmallkimet, duhet të mendohet për një Fondacion për Mbrojtjen e Fëmijëve. Do të mund të jepte kontribut këtu jo vetëm shteti, por edhe shoqëria civile, mediat, diaspora, biznesmenët me etikë. Të mësojmë nga të tjerët. Sipas vlerësimeve të Fondacionit për Mbrojtjen e Fëmijëve në Zvicër, afërsisht çdo e katërta vajzë dhe çdo i dhjeti djalë gjatë fëmijërisë është viktimë e dhunës seksuale apo dhunës. Në grupin e keqpërdoruesve me energji kriminale hyjnë prindërit, punëtorët socialë, priftërinjtë.

Në vitin 1996 autoritetet belge arrestuan Marc Dutroux, një përdhunues e vrasës fëmijësh. Ky rast edhe sot nuk i shqitet Belgjikës. Krimet e Dutroux kanë ndikuar që në Belgjikë të hapet një debat i gjerë shoqëror për mbrojtjen e fëmijëve dhe të familjeve. Sepse tabuizimi i dhunës familjare dhe jashtëfamiljare, frika se disa tema nuk duhet të diskutohen, ndrydhja në vetvete e përjetimeve të rënda nga frika se askush në familje apo në rreth nuk do të jetë i gatshëm të të dëgjojë apo të të ndihmojë, janë fatale për një shoqëri. Rrjedhimisht, ngjarja e llahtarshme e Drenasit, detajet e së cilës nuk dihen ende në tërësi, duhet të shërbejë për një vetëdijesim të publikut. Dhe, po, duhet të kemi politikanë që e dinë çka është angazhimi social. Të tillë kemi pak ose aspak. Shumica e liderëve tanë edhe vetë janë të traumatizuar, degjeneruar nga deliri i madhështisë dhe pasurimit marramendës pas luftës. Të tillët nuk janë të aftë të zgjidhin problemet sociale të një shoqërie. Të tillët, përmes politikave të tyre të nepotizmit, ka gjasa që kanë ndikuar që në shumë institucione të punësohen persona që nuk e kanë vendin aty.

Si qe e mundshme që me vite të tëra NJË POLIC të merret me rastin e një vajze që ankohet se është ngacmuar nga arsimtari dhe të mos ketë mbikëqyrje? Suspendimi i policit të dyshuar për keqpërdorim nuk mjafton. Drejtori i policisë së Kosovës do të duhej menjëherë të suspendonte shefin e policisë në komunën e Drenasit dhe ndoshta edhe atë rajonal. Nuk mjafton të suspendohet vetëm arsimtari i dyshimtë, por duhet të japë përgjegjësi edhe drejtori i shkollës, sepse atë detyrë ai nuk e ka marrë vetëm për të bartur ditarin dhe për të pirë ndonjë birrë në dyqanin e lagjes. Krahas ndëshkimeve më të ashpra të mundshme, rruga tjetër që duhet trasuar është kjo: të inkurajohen viktimat që të raportojnë ngacmimet e çfarëdollojshme. Dhe shoqëria të bëhet zëri i tyre, në mënyrë që çdo rast i dhunës apo skllavërimit seksual të denoncohet te autoritetet dhe të trajtohet me ashpërsinë e paraparë ligjore.