Rasti i serbes në SHBA vendos precedent shqetësues për politikat e imigracionit të Trumpit

Një vendim i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara në çështjen e një serbeje të Bosnjës të deportuar për shkak të rolit të bashkëshortit të saj në luftën e Bosnjës, do ta bëjë më të vështirë heqjen e shtetësisë nga administrata e Trumpit.

Gjykata e Lartë në Shtetet e Bashkuara. Foto: Pixabay.



Gjykata e Lartë votoi të enjten për t’i ridhënë nënshtetësinë një gruaje serbe të Bosnjës, Divna Maslenjak, e cila gënjeu për shërbimin ushtarak të bashkëshortit të saj në luftën e Bosnjës, duke i dhënë një goditje politikës së imigracionit të presidentit Donald Trump dhe duke rritur standardet për revokimin e shtetësisë.

Pozita zyrtare e administratës së Trumpit është se çdo gënjeshtër mund të çojë në humbjen e shtetësisë për amerikanët e natyralizuar.

Megjithatë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë votuan unanimisht se shtetësia nuk mund të revokohet nëse një gënjeshtër apo mosveprim në formularët e imigracionit ishte e parëndësishme për vendimin e qeverisë për të lejuar hyrjen në Shtetet e Bashkuara në radhë të parë.

«Për të siguruar një dënim, qeveria duhet të përcaktojë se akti i paligjshëm i të pandehurit ka luajtur një rol në marrjen e shtetësisë së saj», shkroi gjyqtarja Elena Kagan, duke shpjeguar vendimin në emër të gjykatës.

«Të marrësh nënshtetësi në mënyrë të paligjshme do të thotë ta marrësh atë nëpërmjet mjetesh të paligjshme dhe kjo do të thotë se një gjë e paligjshme luajti një farë roli në marrjen e saj», shtoi ajo.

Divna Maslenjakut dhe bashkëshortit të saj Ratkos iu dha statusi i refugjatit në vitin 1999 dhe ajo u bë shtetase amerikane në vitin 2007.

Ajo fillimisht u tha zyrtarëve të emigracionit se burri i saj nuk kishte shërbyer në Ushtrinë Serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 1990.

Por Ratko Maslenjak në të vërtetë ka shërbyer në një brigadë serbe të Bosnjës që mori pjesë në gjenocidin e boshnjakëve në vitin 1995 në Srebrenica, raportoi Reuters.

Gruaja e tij në fund pranoi që dha një deklaratë të rreme dhe u dënua se kishte gënjyer në aplikimin e saj për marrjen e shtetësisë. Ajo dhe familja e saj u kthyen mbrapsht në Serbi në tetor të vitit 2016.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, çështja ligjore ishte nëse deklarata e rreme e Maslenjakut kishte efekt material në vendimin e Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë asaj statusin e refugjatit.

Administrata e Trumpit u shpreh se rëndësi kishte vetëm që ajo bëri një deklaratë të rreme, jo nëse kjo pati ndonjë impakt në vendimin e saj për të dhënë statusin e refugjatit, por gjyqtarët e Gjykatës së Lartë e refuzuan këtë.

(https://www.reporter.al/rasti-i-serbes-ne-shba-vendos-precedent-shqetesues-per-politikat-e-imigracionit-te-trump/)