Rasti Emmanuel Macron: Kur arroganca të kthehet si bumerang

Kur nuk i merr seriozisht shqetësimet e njerëzve, një ditë ata – të mbështetur për muri – humbin durimin dhe përdorin edhe mjete të palejueshme. Lëvizja e «gilets jaunes» (jelekëverdhëve) kundër presidentit Emmanuel Macron në Francë tregon se politikanët që jetojnë larg qytetarëve të thjeshtë, rrezikojnë të shndërrohen në shënjestër të masave.

Emmanuel Macron. Foto: RTR



Kur para një viti e gjysmë Emmanuel Macron u zgjodh president i Francës, shkrimtari dhe provokatori i njohur Michel Houellebecq tha se Macron i kishte hipnotizuar francezët me optimizmin e tij. Gjatë fushatës elektorale me lëvizjen e tij politike «En marche», Macron premtoi se me ardhjen e tij në pushtet francezët do të participojnë në vendimmarrjet e qeverisë, se shqetësimet e tyre do të merren seriozisht, se ekonomia do të lulëzojë.

Pasi hyri në pallatin Élysée, Macron duket se i harroi të gjitha. Në tetor para një viti ai tha se punëtorët e një fabrike, të cilët protestonin për shkak se po humbnin vendet e punës, është më mirë të kërkojnë punë se të shkaktojnë kaos. Kjo u përjetua si arrogancë e presidentit. Më herët Macron i kishte quajtur kundërshtarët e reformës së tregut të punës «dembelë». Me një rast tjetër Macron kishte thënë: «Në stacionin e trenit takon njerëz që kanë sukses dhe të tjerë që nuk janë gjë». Në stacione të trenit shpesh kalojnë kohën edhe të varfrit e pastrehët, disa duke kërkuar lëmoshë, e disa duke kërkuar një vend më pak të ftohtë për të fjetur. Një punëtori të veshur me fanellë, Macron i tha: «Mënyra më e mirë për të blerë një kostum është të punosh». Kështu u krijua imazhi i Macronit si president që nënçmon shtresat sociale. Opozita e majtë e sheh atë si një fëmijë të përkëdhelur të elitës së Parisit. «President i pasanikëve» – ky është njëri nga «titujt» që ia kanë vënë Macronit kundërshtarët politikë.

Vendimi për rritjen e tatimit të derivateve të naftës më gjasë ishte një provokim i tepërt ndaj francezëve. Ideja e Macronit ndoshta është e mirë: rritja e taksës së benzinës do të nxiste blerjen e veturave elektrike. Sa më shumë vetura elektrike në rrugë, aq më pak ndotje e ambientit. Por, duket se francezët kanë halle të tjera se sa shpëtimi i planetit. Para tri javësh lëvizja e «gilets jaunes» (jelekëve të verdhë) filloi protestat kundër shtrenjtimit të benzinës. Sidomos në Gjermani ka gazetarë elitarë që marrin rroga të majme dhe tërë ditën përmes Twitterit atakojnë «francezët e klasës së mesme», të cilët nuk qenkan solidarë dhe të interesuar për të mbrojtur ambientin.

Dy shembuj tregojnë situatën e francezëve të rëndomtë, të cilët mezi mbijetojnë për shkak se shteti – përmes tatimeve – ua fshinë paratë e fituara me djersë. Gazeta zvicerane «NZZ am Sonntag» ka folur me Roberto Possentin nga Dijoni, një ish-kitarist i xhazit, i cili si sipërmarrës i vogël riparon telefona mobilë. Ai thotë se firma e tij e vogël kishte 22 mijë euro fitim në vitin 2017. Prej tyre shteti ia mori Possentit mbi 16 mijë euro – në emër të tatimeve dhe kontributeve sociale. «Në muaj më mbesin 500 deri 600 euro, pastaj kam një kredi prej 380 euro», thotë ai. «A e dini sa harxhon zonja e parë Brigitte Macron për floktarin e saj? 12 mijë euro në muaj!» Këtë informatë e ka Possenti e ka parë diku në mediat sociale, nuk dihet nëse është e vërtetë, por kjo tanimë s’luan rol. Zemërimi popullor nganjëherë nuk interesohet për të vërtetën e plotë.

Shembulli i dytë: gazeta «Süddeutsche Zeitung» citon Alain-in, i cili – ndërsa në Paris kërcasin granatat e gazit lotsjellës – thotë: «Nuk dua të shkatërroj asgjë, por e kam përshtypjen se politika e merr seriozisht vetëm dhunën». Alain është 19-vjeçar, ai punon në një kremator, e ëma e tij është infermiere. «Pasi paguajmë qiranë dhe ushqimin, në fund të muajit s’na mbetet asgjë».

Protestat e jelekëverdhëve e dobësojnë pozitën e Macron jo vetëm në Francë, por edhe në Bashkimin Europian. Për të kthyer besimin, Macron duhet të kërkojë dialog me sindikatat, nismat civile, shoqatat e punëdhënësve, të cilat i ka injoruar e izoluar në përpjekje për të imponuar reformat e tij, të cilat shpeshherë janë dukur vetëm si favorizim i të pasurve. Protestat e jelekëverdhëve mund të shndërrohen në një rrezik të vërtetë për presidentin nëse zgjerohen dhe nëse vazhdon dhuna. Në mbështetje të tyre është vënë edhe ish-këshilltari i Donald Trumpit, Steve Bannon, duke i krahasuar jelekëverdhët me zgjedhësit e Trumpit, me përkrahësit e partisë populliste Lega në Itali dhe me mbështetësit e Brexitit.