Rashiti: Ora e ndalur në Luginë

Liderët e Luginës e kanë humbur betejën për të siguruar më shumë të drejta për shqiptarët brenda sistemit politik të Serbisë, ka thënë Naim Rashiti nga Zyra e Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë. Me skepticizëm ai e sheh edhe marrëveshjen e fundit për themelimin e Asociacionit të komunave të Luginës, për shkak të joqëndrueshmërisë që kanë treguar liderët atje.




Në intervistën dhënë «Kohës Ditore», Rashiti ka deklaruar se Beogradi e përdor Veriun për ta penguar shtetndërtimin e Kosovës dhe në anën tjetër e dërrmon një popullatë në Luginë duke ia mohuar të drejtat elementare. Për gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Luginë pa faj nuk e ka lënë as Prishtinën, Tiranën e Brukselin.

Efekti i Asociacionit

KD: Përfaqësuesit e Preshevës dhe të Medvegjës së fundi miratuan një dokument për themelimin e një Asociacioni të komunave shqiptare, si reaksion i Asociacionit të komunave serbe. Si i komentoni këto zhvillime?

Rashiti: Situata në Luginë para dhe pas marrëveshjes së Brukselit ka kërkuar veprime të njëpasnjëshme të shqiptarëve dhe liderëve atje. Situata kërkon që çdo ditë të bëhen veprime politike e administrative, të cilat do ta rrisnin presionin ndaj Beogradit, por edhe faktorit ndërkombëtar për ndryshimin e gjendjes së shqiptarëve.

Unë e shoh këtë deklaratë për themelimin e Asociacionit si rritje të presionit, megjithëse ka rrezik që të shuhet efekti i saj për shkak të situatës së përgjithshme dhe mungesës së veprimeve koherente të liderëve atje dhe për shkak të mungesës së përkrahjes nga jashtë.

Shqetësues është fakti se pse liderët kanë pritur marrëveshjen e Brukselit për t’i ndërmarrë këto veprime, kur është ditur se Asociacioni i komunave serbe do të formohet qysh nga viti 2013, kur është arritur marrëveshja e Brukselit. Liderët atje është dashur të bënin më shumë veprime paqësisht, të cilat do ta rrisnin presionin për një proces dialogu dhe ndoshta do të vinim në atë fazë kur do të flitej për një lloj reciprociteti.