Raporti për shëndetin e nxënësve në Gjilan anashkalon Komitetin Shëndetësor

Qendra e Mjekësisë Familjare në Gjilan ka paraparë që rezultatet e kontrollit sistematik shëndetësor të 5 mijë nxënësve nëpër të gjitha shkollat fillore t`i prezantojë në prani të ministrit të Shëndetësisë.




Por opozitarët kanë kundërshtuar këtë paralajmërim me arsyetimin se ky raport së pari duhet të kalojë në Komitetin për Shëndetësi, shkruan sot «Koha Ditore».

Agron Leka, anëtar i Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga radhët e PDK-së, vlerëson se raporti për kontrollin shëndetësor të nxënësve do të dalë joserioz nëse tentohet të krijohet marketing me anë të këtij projekti. Ai shprehet se ky projekt duhet të analizohet dhe të debatohet në mënyrë institucionale.

Edhe Mirvete Kurteshi, anëtare e Komitetit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga subjekti i (VV), vlerëson se paraja publike nuk ka nevojë që të shfrytëzohet për prezantim të projekteve.

Ndërsa Jashar Jashari, kryesues i Komiteti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka thënë se Komiteti do të njoftohet për rezultatet.

Fejzullah Berisha, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan ka thënë se raporti për mungesë hapësirë do të publikohet më 8 tetor në një restorant.