Raporti i ri i Transparency vlerëson dobët vendet e Ballkanit, Shqipëria ka rezultatin më të keq, pastaj radhitet Kosova

Raporti i fundit vjetor i Transparency International mbi nivelin e perceptuar të korrupsionit në botë i ka vlerësuar me pikë të ulëta vendet e Ballkanit.




Raporti i ri i Transparency International mbi nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik thotë se vendet e Ballkanit shihen si shumë të korruptuar dhe të gjithë renditen nën mesataren. Shqipëria ka rezultatin më të keq të shteteve të Ballkanit, e pasuar nga Kosova dhe Maqedonia.

«Është sidomos shqetësuese që në të gjithë rajonin shohim ndërhyrje të qeverive që po dobësojnë sistemin e kontrolleve dhe balancave, tepër i rëndësishëm për përpjekjet e suksesshme kundër korrupsionit dhe demokracinë funksionale», tha për BIRN, zëdhënësja e Transparency International për Ballkanin, Lidija Prokiq. «Në vend të kësaj, të drejtat qytetare dhe politike po kufizohen dhe mbajtja përgjegjëse e qeverive po bëhet gjithnjë e më e vështirë». Prokiq theksoi gjithashtu se angazhimi për demokracinë dhe sundimin e ligjit në rajon duhet të përmirësohet në të gjithë rajonin.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2018, i publikuar të martën, mat nivelin e perceptuar të korrupsionit në sektorin publik në 180 vende dhe territore. Pikët variojnë nga 0 (perceptuar si shumë i korruptuar) deri në 100 (që perceptohen të jenë vendet më pak të korruptuara), duke përdorur vlerësimet e ekspertëve dhe sondazhet e opinionit. Shqipëria, me një rezultat prej 36 pikësh, renditej shumë pak më keq sesa Kosova dhe Maqedonia, të cilave u ishin dhënë 37 pikë.

Për Shqipërinë, e cila ka rënë me dy pikë që nga viti i kaluar, Prokiq thotë se rezultati i saj ngre shqetësime në lidhje me progresin e mëtejshëm të vendit, por shtoi se me procesin në vazhdim e sipër të vetingut të gjyqtarëve në vend dhe strukturën institucionale anti-korrupsion pothuajse të përfunduar, mbetet për t’u parë nëse institucionet e saj do të përmbushin pritshmëritë vitin e ardhshëm. Ajo theksoi gjithashtu se Kosova ka rënë me dy pikë që nga viti 2017, me sundimin e ligjit dhe mungesën e përgjegjësisë së zyrtarëve publikë që mbeten çështje kryesore për vendin, së bashku me kërcënimet ndaj gazetarëve që hetojnë korrupsionin dhe një nevojë për transparencë në financimin e partive. Në rastin e Maqedonisë, Prokiq theksoi se mosmarrëveshja e emrit midis saj dhe Greqisë fqinjë kryeson në rendin e ditës.

Rezultati i Bosnjës është një pikë më mirë sesa vitin e kaluar. Këtë vit ajo është vlerësuar me 38 pikë. Rezultati i Serbisë është 39 pikë, dy pikë më pak sesa viti i kaluar, gjë e cila e kthen atë në vendin ku renditej në vitin 2012. «Përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë serbe për të rritur ndikimin e saj mbi sistemin gjyqësor dhe për të ulur qasjen e publikut në informacion, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga OJQ-të, shoqatat profesionale dhe mediat, janë shumë dekurajues dhe presioni i vazhdueshëm ndaj mediave janë arsye për shqetësime serioze», tha Prokiq. Për Bosnjën ajo nënvizoi se vendi duhet të përmirësojë atmosferën e fushatës zgjedhore dhe kushtet e të drejtave të njeriut. Shteti ballkanik jo anëtar i BE-së me rezultatin më të ulët të perceptuar të korrupsionit është Mali i Zi, me një rezultat prej 45 pikësh. Edhe pse ai gjithsesi ka rënë me një pikë nga viti i kaluar.

Mes vendeve anëtarë të BE-së në Ballkan, vendi i renditur më keq është Bullgaria, me 42 pikë, e ndjekur nga Rumania, me 47 pikë, dhe Kroacia me 48 pikë. «Ndërkohë që Rumania dhe Bullgaria kanë bërë një lloj progresi gjatë viteve të fundit, të dyja kanë rënë me nga një pikë në një vit që ka parë një skandal serioz korrupsioni në Bullgari dhe protesta masive kundër korrupsionit në Rumani», tha raporti. Përveç kësaj, raporti shtoi se si Rumania ashtu edhe Bullgaria vazhdojnë ende të monitorohen nga Mekanizmi i Verifikimit të Bashkëpunimit i BE-së, CVM, i cili monitoron nëse të dy vendet po përmbushin angazhimet e reformës anti-korrupsion dhe të reformës gjyqësore që ata bënë kur u bënë anëtare të BE-së. «Pavarësisht nga kjo masë, të dy vendet kanë bërë shumë pak progres në reformat gjyqësore dhe përpjekjet kundër korrupsionit», tha ai.

Raporti vuri në dukje se në Bullgari, shumë qytetarë nuk kanë besim në institucionet politike dhe nuk ndihen mirë të përfaqësuar. «Me pak kontroll mbi financimin e partive politike dhe pak kontroll, Bullgaria ka gjithashtu mungesë të një media të pavarur dhe transparente», vazhdonte raporti. Më nivel global, shtetet me nivelin më të paktë të perceptuar të korrupsionit janë Danimarka, me 88 pikë, dhe Zelanda e Re, me 87 pikë. Nga ana tjetër, Somalia me vetëm 10 pikë dhe Siria dhe Sudani i Jugut me 13 pikë renditen në fund të listës, si shtetet me nivelin më të lartë të perceptuar të korrupsionit në botë.

Raporti i ri i Transparency vlerëson dobët vendet e Ballkanit