Raporti i KTV-së për krejt çka ndodhi sot në Kuvendin e Kosovës

Vetëm 3 minuta ka zgjatur seanca e Kuvendit.




Shefja e Grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi ishte e para që e hodhi gazin lotsjellës, fillimisht te ulëset e opozitës, për t’u shpërndarë më tej në disa pjesë të sallës plenare, por me ndihmën edhe të deputetit të Vetëvendosjes, Faton Topalli.

Kryetarit i Kuvendit, Kadri Veseli menjëherë u kërkoi deputetëve të lëshojnë sallën, duke e bërë edhe vetë të njëjtën gjë.

Por, si arriti opozita të fusë gazin lotsjellës sërish në sallë plenare?
Glauk Konjufca thotë se gazin lotsjellës nuk e futën sot, por para disa ditësh, ndërsa tha se iu kanë ndihmuar vetë disa policë të Kosovës, që janë kundër ‘Zajednicës’.

E menjëherë ndaj deklaratave të Konjufcës, ka reaguar Policia e Kosovës e cila ka mohuar ta ketë furnizuar dikë me gaz lotsjellës.

Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë veprimet e saj hetimore drejt zbulimit se si është futur mjeti i dyshuar në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Shefi i deputetëve të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se sot ka dështuar sigurimi, pavarësisht se është marrë vendim për kontrolle të rrepta para hyrjes në sallë.