Raporti i BB: Shqipëria, parashikohet trend pozitiv i rritjes ekonomike dhe ulje e varfërisë

Sipas raportit të fundit të ekspertëve të Bankës Botërore, forcimi i kërkesës së brendshme ka nxitur rritjen ekonomike në Shqipëri, ndërsa papunësia dhe varfëria janë në rënie në rajon.

Përfaqësuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed, duke folur gjatë një konference për mundësitë dhe sfidat e përshpejtimit të rritjes ekonomike të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri. Janar 2016 Foto: LSA / Gent Shkullaku

Ekonomistët e Bankës Botërore parashikuan se rritja ekonomike në Shqipëri do të arrijë në nivelin 3,2 për qind në vitin 2016, nga 2,8 për qind në vitin 2015 – mbështetur nga forcimi i kërkesës së brendshme.

Rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të përmirësohet në 3,5 për qind në vitin 2018.

Në Raportin e Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore, të publikuar të martën, ekspertët parashikuan se trendi pozitiv i rritjes ekonomike të vitit 2016 do t’i hapë rrugë shtimit të punësimit dhe uljes së varfërisë.

Punësimi vijon të jetë nën nivelet e para-krizës, sipas raportit të BB, por në Shqipëri norma e papunësisë u reduktua me 1,5 pikë përqindje në terma vjetorë, ku rritja ekonomike dhe reformat e tregut të punës e kanë çuar shkallën e punësimit në 6,7 për qind për gjashtëmujorin e parë të 2016.

Rigjallërimi i konsumit dhe investimet private të mbështetura nga projekte madhore në sektorin e energjisë pritet të udhëheqin rimëkëmbjen ekonomike në Shqipëri, duke kontribuar në 2/3 e saj përgjatë periudhës 2016-2018 – vlerëson raporti.

«Vendet që ndërmorën reforma të thella përjetuan rritje të investimeve, të cilat u kthyen në shtytës të fuqishëm të rritjes ekonomike gjatë gjysmës së parë të vitit 2016, ku investimet private patën kontribut të rëndësishëm në  rritjen ekonomike në Serbi dhe Shqipëri», thotë Katia Vostroknutova, Ekonomiste e Nivelit të Lartë të Bankës Botërore dhe bashkëautore e raportit.

«Deficiti fiskal dhe borxhi publik pësuan gjithashtu rënie si rezultat i reformave që u ndërmorën në këto dy vende», shtoi Vostroknutova.

Raporti vlerëson se Shqipëria është i vetmi vend në rajon ku kreditë e këqija nuk pësuan rënie për vitin 2016.

Sipas Raportit të fundit të Rregullt Ekonomik për Europën Juglindore (RRrEEJL), rritja ekonomike rajonale do të shkojë në 2,7 për qind në vitin 2016, nga 2.2 për qind që ishte në vitin 2015.

Në vitet 2017 dhe 2018 ritmi i rritjes ekonomike rajonale pritet të përshpejtohet.

Flukset hyrëse të IHD-ve dhe Investimeve të Portofolit u zvogëluan në shumicën e vendeve të Europës Juglindore duke reflektuar ecurinë e tregjeve ndërkombëtare dhe pasigurinë politike.

Barbara Cunha, Ekonomiste e Nivelit të Lartë të Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit e konsideron Serbinë si liderin e rritjes ekonomike për rajonin dhe vlerëson se ritmet e rritjes do të ruhen në nivel 2.8 – 3.6 nga të gjitha vendet e rajonit, me përjashtim të Maqedonisë.

«Konsolidimi i rritjes ekonomike po ndihmon në rritjen e punësimit dhe uljen e varfërisë në rajon», thekson Ellen Goldstein, Drejtore e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Goldstein thekson se papunësia në nivel rajonal mbetet e lartë, në rreth 25 për qind, por ajo pësoi rënie në të gjitha vendet e Europës Juglindore, me përjashtim të Malit të Zi.

«Ruajtja e ritmeve të rritjes së fortë ekonomike në kushtet e rreziqeve të rritura kërkon zbatim të reformave që garantojnë qëndrueshmërinë e saj», thotë drejtoresha e BB për Ballkanin Perëndimor.

«Ndërmarrja e masave që mund të ndihmojnë, për shembull, në përmirësimin e klimës së biznesit apo rritjen e cilësisë së shërbimeve publike do të sigurojnë qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen», përfundon Goldstein.

(reporter.al: http://www.reporter.al/raporti-i-bb-shqiperia-parashikohet-trend-pozitiv-i-rritjes-ekonomike-dhe-ulje-e-varferise/)