Raporti i Auditorit të Përgjithshëm: Deficiti buxhetor është mbi kufirin e përcaktuar me Ligj




Auditori i Përgjithshëm në detyrë, Artan Venhari, ka dërguar në Kuvend Raportin Vjetor të Auditimit për vitin financiar 2014. Ky raport mbulon zbatimin që Qeveria i ka bërë buxhetit dhe Pasqyrave Financiare të Buxhetit të Kosovës për atë periudhë.

Opinioni i Auditimit dhënë për pasqyrat e konsoliduara financiare për vitin 2014, Opinion i Kualifikuar nxjerr si përfundim se: “Pasqyrat Vjetore Financiare të Buxhetit të Republikës së Kosovës prezantojnë, në të gjitha aspektet materiale, një pamje të drejtë dhe të vërtetë me përjashtim të çështjes së klasifikimit të shpenzimeve”.

“Shpenzimet për mallra dhe shërbime si dhe subvencione dhe transfere në vlerë prej 24,470,260€ ishin keq klasifikuar si investime kapitale. Kjo ka ndodhur pjesërisht për shkak të drejtimit nga Ministria e Financave në buxhetimin joadekuat të shpenzimeve si dhe pjesërisht nga veprimet jo të përshtatshme të organizatave buxhetore individuale në klasifikimin e tyre”, thuhet ndër të tjera në këtë raport, raporton Koha.net.

Në të njëjtën kohë, Auditori i Përgjithshëm në detyrë thekson se deficiti buxhetor është mbi kufirin e përcaktuar nga Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe të Përgjegjësive. Kështu bën thirrje që institucionet t’i kushtojnë vëmendje fazës së planifikimit.

Më tutje, raporti thotë se kontrollet në procesin buxhetor ishin të pamjaftueshme pjesërisht për shkak të ngërçit politik. Edhe pse realizimi i buxhetit në përgjithësi ishte në nivelin e duhur, raporti thotë se procesi buxhetor për investime kapitale dhe mallra dhe shërbime duhet të zhvillohet tutje.

“Rritja e llogaridhënies është gjithnjë e më e rëndësishme duke pasur parasysh situatën e buxhetit të mangët dhe ambiciet për integrimin në BE. Kjo nënkupton që theksi të vihet në arritjen e vlerës më të mirë për para në përdorimin e burimeve të pakta”, theksohet në raport.

Ky raport paraqet sfidat kyçe që duhet të adresohen, të cilat në disa fusha reflektojnë sfida të rëndësishme.

“Diskutimet dhe përgjigjet lidhur me çështjet e ngritura në raport janë të domosdoshme”, përfundon njoftimi për media i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.