Raporti i Amnesty qorton vendet e Ballkanit për shkelje të të drejtave

Raporti i ri global i Amnesty International kritikon vendet e Balllkanit për mosrespektim të të drejtave të minoriteteve, imigrantëve dhe gazetarëve.




Liria e fjalës, të drejtat e imigrantëve dhe refugjatëve për mbrojtje dhe të drejtat e LGBTI shkelen shpesh në vendet e Ballkanit, sipas raportimit më të fundit nga Amnesty International që monitoron të drejtat. Analiza e Amnesty, e publikuar më 22 shkurt, e quajti Ballkanin «një vend të rrezikshëm për gazetarët investigativë», duke përmendur dhjetëra rrahje të gazetarëve, padi të ngritura kundër tyre dhe fushata përbaltjeje të kryera nga mediat pro-qeveritare kundër zërave të pavarur.

Një tjetër temë e raportit të drejtave të njeriut ishte shkelja e të drejtave të personave LGBTI në Ballkan, ku thuhej se vazhdojnë diskriminimi dhe paragjykimet. Shoqëria civile dokumentoi dhjetëra raste të kanosjeve dhe sulmeve fizike ndaj personave LGBTI në Bosnje ndërsa Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut vendosi se Rumania kishte dështuar në investigimin siç duhet të sulmit ndaj Paradës së Bukureshtit në 2006. Ndërkohë, kriza e emigrantëve vazhdoi të shihte mijëra të izoluar në ndërtesa të papërshtatshme në shumë vende të Ballkanit. Imigrantët dhe refugjatët u kthyen në mënyrë të jashtëligjshme në kufij dhe iu mohua aksesi në mbrojtje.

Bosnja

Në Bosnjë, ligjet e reja kundër diskriminimit u përmendën si një hap pozitiv. Megjithatë, «rritja e retorikës nacionaliste» gjatë zgjedhjeve të tetorit të kaluar dhe refuzimi i autoriteteve të entitetit Republika Srpska për të respektuar këtë vit një vendim të Gjykatës Kushtetuese që vendosi se Festa e 9 Janarit diskriminonte pakicat, qenë të gjithë faktorë kërcënues të të drejtave të njeriut në vend.

Rumania

Në Rumani, minoriteti rom pësoi diskriminim sistematik, sipas raportit, përfshirë dëbime me forcë. Raporti përmendi shifrat që tregonin se nga 394 shkolla në 112 bashki në Rumaninë verilindore, 82 prej tyre praktikonin veçimin e fëmijëve romë. Raporti theksoi se autoritet i ishin përgjigjur ndarjes përmes një strategjie për të parandaluar praktika të tilla në shkolla.

Bullgaria

Bullgaria u qortua për mosrespektimin e të drejtave të imigrantëve që hynë në vend. Bullgaria nuk arriti të respektojë procedurat e duhura në lidhje me numrin në rritje të imigrantëve dhe refugjatëve që hynë në vend dhe nuk zgjidhi akuzat për sprapsje dhe shkelje të tjera në kufi. «Një klimë ksenofobie dhe intolerance u intensifikua ndjeshëm», tha raporti.

Serbia

Refugjatët dhe imigrantët vuajtën ndërsa qëndruan të bllokuar në Serbi, tha Amnesty, duke theksuar se ata nuk kishin mbrojtje dhe shërbimet themelore. Ndërkohë, raporti tha se media pro-qeveritare kanë vazhduar të shpifë kundër kritikëve të qeverisë, ndërsa të drejtat e qytetarëve u shkelën në lidhje me prishjen e ndërtesave për t’i hapur rrugë projektit të mbështetur nga qeveria të njohur si Beograd Ëaterfront. Raporti gjithashtu vuri në dukje se një padi kundër Radomir Markoviq, ish-kreut të sigurimit të shtetit, për vrasjen e gazetarit Slavko Çuruvija në vitin 1999, kishte mbetur në vend pasi një dëshmitar kyç nuk u paraqit në gjykatë.

Shqipëria

Raporti i Amnesty për Shqipërinë u përqendrua në mungesën e progresit në çështjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës në vitin 1995, një shqiptar etnik nga Maqedonia. «Fati dhe vendndodhja e tij mbetën të panjohura», tha raporti. Ai theksoi gjithashtu shqetësimet e Komitetit Europian për Parandalimin e Torturës mbi kushtet e burgjeve në Shqipëri, ku theksoi se «raportime të shumta nga të burgosurit – përfshirë minorenë – për keqtrajtim nga policia, madje në disa raste në tortura».

Maqedonia

Maqedonia u kritikua për kujdesin e dobët ndaj refugjatëve në të ashtuquajturin «itinerar ballkanik» drejt perëndimit, ku imigrantët «në mënyrë rutinë janë kthyer në kufirin me Greqinë ose janë sistemuar në ndërtesa pa kushte në Maqedoni». Ndërkohë raporti tha se prokuroria speciale e emëruar nga parlamenti në shtator 2015 për të hetuar zyrtarët e përfshirë në skandalin e përgjimit u përball me pengesa politike dhe presion gjatë punës së vet.

Mali i Zi

Të drejtat zgjedhore ishin fokusi kryesor i raportit të AI për Malin e Zi, ku u përmend se zgjedhjet patën parregullsi të mëdha që mbajtën në pushtet koalicionin qeverisës të ish-kryeministrit Milo Djukanoviq.

(Botuar fillimisht nga: https://www.reporter.al/raporti-i-amnesty-qorton-vendet-e-balllkanit-per-shkelje-te-te-drejtave/)