Raporti bën thirrje që «Kampi Bondsteel» të shndërrohet në bazë të përhershme amerikane në Ballkan

Një prani ushtarake e përhershme e Shteteve të Bashkuara në Europën Juglindore është e nevojshme për të stabilizuar rajonin, argumenton një raport nga Këshilli i Atlantikut me bazë në Washington, i cili paralajmëron gjithashtu për përpjekjet në rritje të Rusisë për të ushtruar ndikim.

Trupa të KFOR-it në Kosovë.



Raporti i titulluar «Ballkani Përpara: Një Strategji e Re e Shteteve të Bashkuara për Rajonin», i publikuar nga Këshilli Atlantik të martën, bën thirrje për një prani ushtarake të përhershme amerikane në Ballkan, një «afrim historik» ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë dhe për SHBA-në për të rifituar reputacionin e saj si një «ndërmjetës i ndershëm».

Raporti paralajmëron se institucionet e dobëta shtetërore të vendeve të Ballkanit janë dobësuar nga rrjedha e emigrantëve dhe refugjatëve, ndërsa papunësia e vazhdueshme, çrregullimi politik dhe korrupsioni i përhapur paraqesin «një recetë për radikalizimin e popullatës së re myslimane të rajonit». Ai gjithashtu paralajmëron për ndikimin e rritur rus, duke argumentuar se «dy vjetët e fundit janë parë përpjekje të mëdha nga Rusia për të përfituar nga patologjitë e vazhdueshme të rajonit për të minuar projektin europian».

Raporti thotë se trazirat politike në Ballkan janë kthyer përsëri në një problem të madh. Ai citon një grusht shteti të dështuar, të mbështetur nga Rusia në Malin e Zi, një tren të dekoruar me propagandë serbe që u ndal në kufirin e Kosovës, një seri protestash kundër korrupsionit pas fitores së parë të Aleksandar Vuçiqit, në zgjedhjet presidenciale të Serbisë dhe tensionet e vazhdueshme në Maqedoni pas zgjedhjeve të kontestuara që çuan në një krizë kushtetuese.

Autorët besojnë se krijimi i një pranie ushtarake të përhershme amerikane në rajon do të «ankoronte aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar në zhvillimet», si dhe për të dërguar një sinjal të qartë se SHBA është e angazhuar për «parandalimin e rishikimit të pamatur të kufijve ekzistues». «Kampi Bondsteel në Kosovë është ideal për këtë qëllim. Trupat do të përdoreshin edhe për të ndihmuar në forcimin e kapaciteteve të autoriteteve lokale për ndalimin e terrorizmit nëpërmjet trajnimit dhe shkëmbimit të praktikave më të mira, si dhe për të ofruar ndihmë në katastrofa humanitare, nëse ato shfaqen», thuhet në raport.

SHBA duhet të ndjekë një «afrim historik» me Serbinë më aktivisht, por Beogradi mund të bëhet një partner i ngushtë dhe aleat në rajon, nëse fillon të «distancohet nga Rusia në mënyrë kuptimplotë». Sipas raportit, Washingtoni duhet «të mbështesë» dhe të ndihmojë Serbinë dhe Kosovën të arrijnë një «marrëveshje përfundimtare» në vitin 2018. Raporti gjithashtu konstaton se në Bosnjë-Hercegovinë, të cilën e quan shteti më i brishtë në periudhën pas Jugosllavisë, ndikimi i Rusisë ka qenë «veçanërisht keqdashës», duke përmendur veton ndaj një rezolute të OKB-së në vitin 2015 që do të kishte shpallur masakrën e Srebrenicës një akt gjenocidi. Ai gjithashtu thotë se Moska ka qenë «duke kultivuar një klient» te Milorad Dodiku, kreu i Republikës Serbe, njësisë së Bosnjës të dominuar nga serbët. «Rusët kanë mbështetur në mënyrë të përsëritur përpjekjet e Dodikut për të forcuar njësinë e tij drejt një referendumi mbi pavarësinë, me Putinin që personalisht e priti dy herë udhëheqësin serb të Bosnjës në Moskë gjatë vitit të kaluar», thuhet në raport.

Rusia akuzohet gjithashtu për «lojëra» në Kosovë, pasi qeveria në Prishtinë ka pohuar se agjentët e inteligjencës ruse janë të pranishëm në veriun e mbizotëruar nga serbët.

Rusia është akuzuar më tej për ndërhyrje në çështjet maqedonase, me raportin që pretendon se diplomatët e saj në Shkup «e përkeqësuan situatën» duke mbështetur partinë VMRO-DPMNE «maksimalisht» gjatë krizës politike të vendit.

Autorët pohojnë se Rusia po kërkon «leva» për të bërë «sa më shumë rrëmujë që të jetë e mundur» në rajonin e Ballkanit, gjë që do të kërkonte ndihmën e Moskës për ta zgjidhur. «Duke vënë në dyshim legjitimitetin e kufijve ekzistues të Bosnjës dhe Kosovës, Rusia shpreson të krijojë një mundësi për të hedhur një diskutim më të gjerë të kufijve me bashkëbiseduesit e saj perëndimorë. Në këtë kontekst, Rusia ka gjasa të ngre jo vetëm statusin e Krimesë dhe Donbas, por ndoshta edhe të vendeve baltike», paralajmëron raporti.
(BIRN)