Rana e Hedhun u tjetërsua me dokumente të falsifikuara

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi për sekuestrimin e 285 mijë metrave katrorë tokë në zonën bregdetare të quajtur Rana e Hedhun në Shëngjin, pasi dyshohet së është përfituar në mënyrë të paligjshme duke u bazuar në ligjin 7501.

Rana e Hedhun , zona bregdetare në veri të Shëngjinit | Foto: Wikimedia



«Sipërfaqja e sekuestruar është e ndarë në 5 parcela dhe aktualisht gjendet në pronësi të disa personave të ndryshëm», deklaroi Prokuroria e Përgjithshme.

«Personat, në emër të të cilëve është regjistruar prona, nuk janë banorë të zonës së Malit të Rencit (Rana e Hedhun), por janë banorë të një njësie tjetër të qarkut Lezhë. E, megjithatë, ata kanë regjistruar këto prona me vërtetime të aktit të marrjes së tokës në pronësi, në bazë të ligjit nr.7501/1991 «Për Tokën»», shtoi Prokuroria.

Rana e Hedhun është një plazh në bregdetin e detit Adriatik, rreth 5 kilometra në veri të qytetit të Shëngjinit.

Ndërkohë, ligji 7501 për tokën, i miratuar në 19 korrik 1991 dhe i ndryshuar 5 herë dëri në vitin 2004, ka rregulluar shpërndarjen e tokës bujqësore familjeve që ishin anëtare të ish kooperativave bujqësore.

Në bazë të ligjit nr. 7501, përfitonin tokë vetëm banorët e zonave ku gjendeshin tokat dhe zërat kadastralë pyje dhe ranore ishin të përjashtuar nga procesi i ndarjes së tokave.

Megjithatë, gjatë dy dekadave të fundit abuzimi nga komisionet vendore të tokës, ka bërë që shpesh toka t’u shpërndahet personave që nuk janë banorë të zonës kadastrale apo të shpërndahet tokë ranore.

Në mënyrë të veçantë abuzimet kanë qenë më të theksuara në zonat bregdetare si Rana e Hedhun, ku vlera e tokës dhe interesi për ta zhviluar atë për turizëm ka qenë edhe më i madh.

Për rastin e falsifikimit të pronësisë së sipërfaqes prej 285 mijë metrash katror në zonën e Ranës së Hedhun, Prokuroria e Lezhës i ka nisur hetimet pas denoncimit të një shtetasi që pretendonte se prona e tij ishte regjistruar në emër të palëve të treta.

«Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Lezhës ka krijuar dyshimet e arsyeshme se 5 parcelave iu është ndryshuar në mënyrë të kundërligjshme zëri kadastral nga zonë pyjore, në pemtore e tokë arë. Dhe, më pas, këto prona janë tjetërsuar në bazë të dokumenteve të fallsifikuar», njoftoi Prokuoria e Përgjithshme.

«Parcelat janë regjistruar në emër të personave që nuk kishin të drejtë të përfitonin tokë në atë zonë, si edhe, për më tepër, sipërfaqja e ndarë në bazë të ligjit «Për Tokën», ka qenë e përjashtuar nga ky proces (pasi ishte zonë pyjore dhe ranore)», shtoi Prokuroria.

Sipas Prokurorisë pronat e falsifikuara janë regjsitruar në zyrën vendore të regjistrimit të pasurisë së paluajtshme në Lezhë gjatë dy muajve të fundit. Hipoteka i ka regjistruar këto prona, pas rikonfirmimit të zërit kadastral nga ana e Bashkisë së Lezhës dhe Qarkut Lezhë.

Sipas Prokurorisë rezulton se parcelat janë të deklaruara si të përfituara nga familjet e Frrok Frrokut, Vasil e Pjetër Gjonit dhe Nikoll Tinajt, por nga dokumentacioni i administruar si pjesë e procedimit penal arrihet në përfundimin se këto parcela ishin të përjashtuara nga ndarja e tokës sipas ligjit të vitit 1991, pasi ato janë zona pyjore dhe ranore.

Pjestarët e familjeve Gjini, Frroku dhe Tinaj, të cilat rezultojnë se kanë nënshkruar aktet e tokës, gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria kanë mohuar se kanë firmosur dokumentacionin. Një pjesë e parcelave të cilat dyshohet se janë përftuar në mënyrë të paligjshme, i janë shitur palëve të treta.

Edhe pse Prokuroria e Pëgjithshme nuk ka njoftuar nëse ka zyrtarisht të dyshuar, ajo nënvizoi se hetimet e Prokurorisë së Lezhës  po vijojnë «për personat e përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme», në kuadër të procedimit të regjistruar për veprat penale të «Falsifikimit të dokumentave» dhe «Shpërdorimit të detyrës».

(https://www.reporter.al/rana-e-hedhun-u-tjetersua-me-dokumente-te-falsifikuara/)