Ramush Haradinaj fajtor edhe për ndryshimet klimatike në Polin e Veriut!

Mbi hierarkinë e fajit në politikën kosovare dhe demagogjinë e PDK-së.

Ilustrimi: Shutterstock



Ka një tendencë të qarqeve pëdëkëiste që për çdo gjë të bëhet fajtor kryeministri Ramush Haradinaj. Sipas kësaj logjike ai na qenkësh fajtori i vetëm për ikjen e qytetarëve nga Kosova. Fajtori i vetëm për korrupsionin. Fajtori i vetëm për nepotizmin. Fajtori i vetëm për keqqeverisjen. Fajtori i vetëm për papunësinë. Fajtori i vetëm për gjendjen e mjerueshme në polici, drejtësi dhe në ndërmarrjet shtetërore.

Kësaj propagande duhet thënë stop!

Një vit në pushtet i Ramush Haradinajt (me të gjitha skandalet dhe aferat e neveritshme që e bëjnë të padenjë për postin që ushtron) nuk mund të mbulojë gati 20 vjet keqqeverisje të PDK-së. Themelet e korrupsionit, krimit të organizuar, keqqeverisjes në Kosovën e pasluftës i ka vendosur kjo parti. Në fillim duke i frikësuar rivalët politikë dhe shumë qytetarë, më vonë duke i blerë ata që nuk patën karakter e moral për t’i rezistuar të keqes.

Ky «sukses» i PDK-së nuk e amniston asnjë parti tjetër nga përgjegjësia dhe faji. Nuk e amniston madje as shoqërinë. Por sa i përket fajit për këtë gjendje – ka një hierarki. Dhe aty PDK zë vend prominent. Andaj është qesharake që nga radhët e PDK-së të tentohet që Ramush Haradinaj të bëhet fajtor edhe për ndryshimet klimatike në Polin e Veriut. PDK është partia kryesore e koalicionit, më e madhja, dhe kontrollon ministritë më të rëndësishme, qoftë përmes njerëzve të saj, qoftë përmes biçim-partisë AKR, të themeluar nga PDK. Kjo parti, pra PDK, ka qenë në pushtet kur ndodhi tragjedia në lumin Tisa. PDK ka qenë në pushtet (bashkë me LDK-në) kur rreth 100 mijë shqiptarë ikën nga Kosova. PDK ka qenë në pushtet kur Kosovën e kanë pllakosur qindra skandale të mëdha e të vogla.

Nëse PDK vërtet e ka seriozisht me kritikat ndaj Haradinajt, lehtë është kjo punë: mblidheni parlamentin dhe shkarkojeni. Por PDK e di mirë përse nuk e shkarkon. Sepse zgjedhjet parlamentare mund të prodhojnë rezultat me plot ankthe për këtë parti.

Përndryshe: sa më shpejt që largohet kjo qeveri – më mirë për Kosovën. Sepse kjo qeveri s’do mbahet në mend për gjë tjetër veçse për 90 zëvendësministra, për një kryeministër që me arrogancë thotë se ia ka rritur vetes rrogën «për pikë të qejfit», një kryeministër që fyen rëndë një prokuror që përpiqet të kryejë punën si duhet dhe të zbulojë e nxjerr para drejtësisë veteranët e rrejshëm, jo pak prej të cilëve janë bashkëvendës dhe votues të partisë së Ramush Haradinajt. Nuk ka Kosova para që paguajë votues të asnjë partie. Nuk ka Kosova as kohë dhe as luks të durojë ministra që kërkojnë largimin e ambasadorëve të shteteve mike vetëm e vetëm pse ata janë të shqetësuar me mënyrën se si qeveria i keqpërdorë mjetet e popullit dhe njëkohësisht pret që shtetet e Europës Perëndimore, SHBA-të apo Japonia të japin para për ujësjellësin në fshatrat kosovare. Nuk i duhen Kosovës politikanë që nuk dihet se kush ua paguan hotelet e shtrenjta në St. Moritz. Këtu nuk ia lëshojnë fare udhën Haradinajt as udhëheqësit e PDK-së, që e kanë mjelë këtë vend si të ishte një deve e Egjiptit.

Se çfarë fuqie shkatërruese ka PDK brenda shtetit e kemi parë në rastin e rrëmbimit dhe ekstradimit të shtetasve turq nga Prishtina në Ankara. «Shteti i thellë», i kontrolluar nga shefi në hije i PDK-së dhe presidenti i Kosovës, duke shkelur mbi 30 rregulla e dispozita ligjore ia dorëzoi shërbimit sekret turk gjashtë shtetas, mes tyre një që duket se ishte ngatërruar me një person tjetër. Tani Turqia po e rrit presionin që Kosova të arrestojë edhe «gylenistë» të tjerë. Se kush është «gylenist» për këtë vendos padishahu në Ankara. Shpesh etiketa «gylenist» i ngjitet kritikëve të padishahut për t’i luftuar pamëshirshëm. Nga shembujt e mëtutjeshëm të «shtetit të thellë» të kontrolluar nga PDK lexuesin duhet kursyer, sepse gati çdo gjë tashmë është e njohur dhe nuk mund të mbulohet me demagogji, propagandë e dokrra. Është keq për Kosovën nëse Ramush Haradinaj qeverisë kështu edhe më tutje, por edhe më keq do të bëhet nëse PDK mbetet në pushtet. Kur kjo parti të reformohet, të kërkojë falje për keqqeverisjen shumëvjeçare, kur të shporrë gardën e politikanëve të diskredituar, atëherë dhe vetëm atëherë eksponentë të saj kanë të drejtë morale të kërkojnë votën e qytetarëve dhe – pse jo – të kritikojnë edhe korrupsionin.