Rama, Trumpi dhe letërsia

Presidenti amerikan dhe Kryeministri shqiptar e kanë së paku një të përbashkët. Ardhja e tyre në pushtet nxitet edhe nga përjetime personale në jetën e tyre. Këto ngjitje «aksidentale» mund ta kenë edhe koston e tyre.

Sali Berisha, Edi Rama dhe Ardian Klosi në fillimet e pluralizmit në Shqipëri.



Duket sikur në opinionin shqiptar Edi Rama është emri më i përfolur shqiptar, kurse Donald Trump – botëror. Është më tepër se një çështje kurioziteti të kërkosh nëse kanë diçka të përbashkët Donal Trump dhe Edi Rama? Njëri që po konfrontohet me probleme që në rrëzë të karrierës së tij si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tjetri që zor se po e mbaron normalisht mandatin e parë qeverisës. Të përbashkëta ndërmjet njërit që ndoshta nuk di akoma për ekzistencën e tjetrit, dhe të vetmit zyrtar të lartë të një shteti që është shprehur hapur kundër zgjedhjes së tij?!

Kohëve të fundit sikur janë shtuar zërat, të cilët këto dy personalitete i shpjegojnë me kategori psikologjike. Ndonjëherë me më shumë zell kritik, por ndonjëherë në mënyrë të mbështetur. Karakteri i të dyve, duke iu referuar jo vetëm paraqitjes së tyre, por edhe mënyrës së qeverisjes dhe vendimeve që marrin, në këto shqyrtime reduktohet në narcizëm. Trishtimi që ndjell ky vlerësim bëhet edhe më i madh, kur ky opinion nuk vjen vetëm nga kundërshtarët politikë, por edhe nga njerëz me reputacionin e të qenët neutralë dhe nga specialistë. Por, nuk e kisha fjalën për këtë të përbashkët, së paku besoj se e përbashkëta e tyre nuk është vetëm narcizmi.

E përbashkëta tjetër e tyre mund të kërkohet edhe te faktorët që e nxitën ambicien e tyre politike për të arritur deri në majën e hierarkisë së sistemit politik të vendeve përkatëse.

Pothuajse të gjithë dokumentarët që kam parë me rastin e zgjedhjes së Trumpit president i SHBA-ve fillojnë me një skenë: Takimi tradicional i Shtëpisë së Bardhë me mediet dhe përfaqësuesit e tyre. Aty ku presidenti amerikan mban një fjalë, në mesin e të cilëve ndodhej edhe Trump, si udhëheqës i një formati televiziv. Dhe, me këtë rast presidenti Obama ia kishte ruajtur Donald Trumpit një rrebesh. Për disa minuta me radhë, në mesin e qindra gazetarëve e producentëve, ai e bën Trumpin objekt kritikash dhe batutash të hidhura. Trumpin, emri i të cilit prej dekadash ishte më i njohur se ai i Presidentit dhe një autoritet në komunitetin e fuqishëm të biznesit në Amerikë dhe në botë.

Nuk përjashtohet mundësia që Donald Trump si afarist i njohur dhe i suksesshëm të kishte ushqyer ëndrrën legjitime (amerikane), aq më tepër në vendin e mundësive të pakufizuara të bëhej president i SHBA-ve. Por, pjesëmarrës të këtij eventi të Shtëpisë së Bardhë, që e kishin parë Trumpin nga afër sesi vuante i pambrojtur në ato momente nga shigjetat zeher të Obamës, mendojnë që ai në atë çast kishte vendosur përfundimisht të kandidonte për president të SHBA-ve. Kjo do të ishte hakmarrja e tij; kjo do të ishte vënia në vend e dinjitetit të nëpërkëmbur nga një president, të cilin ai e kishte kontestuar, duke e sfiduar vazhdimisht ta nxirrte certifikatën e lindjes, çka do të dëshmonte nëse ka lindur në Amerikë dhe nëse ishte president legal. Për kuriozitet, dokumentari përfundon me shtrëngimin e duarve në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë, ndërmjet presidentit në largim, Barak Obama, dhe atij në ardhje: Donald Trump!

Po të japësh në maskën e Google emrin Edi Rama, në arkivin e fotografive të saj, ndër shumë imazhe të tij në të gjitha pozat e mundshme – nga ato me rroba të shtrenjta Brioni, deri te ato lakuriq – do të të shfaqet disa herë edhe një foto e tij, në të cilën nuk njihet se është ai. Një fytyrë e përçudnuar, e mavijosur dhe e ënjtur nga një dhunë mizore! Është imazhi i tij, të cilin ai vetë, si i zgjuar që është, nxiton ta dokumentojë te një fotograf, pas një sulmi nga persona të panjohur në një muzg rrugës për në shtëpi, përpara se t’i dorëzohej gjilpërës së mjekut.

Edi Rama ishte ndër protagonistët e lëvizjes studentore për pluralizëm politik dhe demokraci në Shqipëri. Më pas, sikur shumë të tjerë, ai përzihet nga lideri i Partisë Demokratike. Kontributin e tij intelektual për kauzën e studentëve ai e jep si publicist, edhe atë kritik, ndaj regjimit të ri. Ideja që mbretëron në opinionin publik është ajo se Edi Rama u bë pre e një sulmi të njerëzve të regjimit të Sali Berishës, si shpërblim për kritikat e tij. Ndonëse Berisha ka pohuar se dhuna kishte qenë një i ashtuquajtur krim pasioni.

Biografia si një spunto për vendime të mëdha jetësore dhe politike nuk është aspak e panjohur. Mendohet se vendosmëria revolucionare e Leninit merr fuqimisht shkas nga vrasja e vëllait të tij nga Cari rus. Günter Grass në librin e tij «Mein Jahrhundert» (Shekulli im) ka një shënim («1908»), sesi një incident krejt trivial, madje banal, mund të bëhet sebep për një radikalizim të individit, që lidhet me vrasjen e Karl Liebknechtit, eksponentit të njohur gjerman të revolucionit botëror socialist.

Tezën se prapa vendimesh politike mund të fshihen përjetime dhe ndjesi subjektive e afirmon edhe letërsia e Ismail Kadaresë. Enver Hoxha mund ta kishte shkaktuar gjithë atë bujë në kongresin XX të partive komuniste në Moskë nga dëshira e fshehtë për ta arritur atë famën që Tito e fitoi pas prishjes me Stalinin. Në anën tjetër, Tito e xhelozonte shijen e Hoxhës dhe filloi të vishej bukur si ai. Kështu e interpreton Kadare edhe sherrin ndërmjet Rumanisë dhe Jugosllavisë, që lind si rezultat i xhelozisë së Çausheskut, në fakt gruas së tij Elenës, ndaj elegancës së Titos. Nga motive të ngjashme, personale, motivohet konflikti ndërmjet Mao Ce Dunit dhe Lin Biaos.

Shembujt e Trumpit dhe Ramës janë vështrime të simplifikuara, hipotetike dhe i abstrahojnë disa faktorë të tjerë, por historitë ofrojnë elemente që e pasurojnë këtë tezë letrare. Nga sulmi i Ramës deri te ardhja e tij në pushtet ka një kohë relativisht të gjatë, gjithsesi një agresion i tillë nuk mund të mos lërë gjurmë në personalitetin e njeriut. Si një indikator i marrëdhënies midis agresionit politik dhe Ramës kryeministër mund të interpretohet qasja e personave me rekorde kriminale në rrathët koncentrikë të qeverisjes. Si një lloj imuniteti, garancie, qoftë psikologjike.

Pavarësisht sfondit të tyre që i «kualifikon» për ëndrrat që ndjekin – Trump si multimiliader dhe bir i një emigranti të suksesshëm, Rama si publicist dhe bir e nip i dy eksponentëve të lartë të ish-sistemit – aksidentet e tyre reflektojnë në mënyrën e politikëbërjes së tyre. Pikërisht fakti që sikur në SHBA sistemi i drejtësisë të kishte funksionuar sikur në Shqipëri, Trump tani do ta kishte ndryshuar Amerikën. Apo nga ana tjetër: Sikur sistemi i drejtësisë në Shqipëri të kishte funksionuar sikur ai në SHBA, ai mbase do të ishte skualifikuar nga qeveria prej kohësh. Menjëherë pas heqjes së portretit të presidentit nga zyrat (për ç’gjë nuk kam ndonjë keqardhje, por jo pa e ndryshuar ligjin); pas fillimit të punimeve në Kryeministri, duke e fshehur firmën që e kishte angazhuar pa tender; menaxhimit të asgjësimit të helmeve kimike siriane dhe gjëra të tilla më të «vogla».