Rama tërheq kandidatin në Kavajë në kërkim të kompromisit

Kryeministri Edi Rama deklaroi të premten (5 maj) se ka vendosur të tërheqë kandidatin e partisë Socialiste për postin e kryebashkiakut të Kavajës më 7 maj, një ofertë tjetër për kompromis me opozitën për zgjedhjet e 18 qershorit.

Edi Rama.



Zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në Kavajë më 7 maj hyri në paqartësi pasi kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se i ka kërkuar kandidatit të tij Klodian Shehi të tërhiqet nga kandidimi, si një akt lëshimi për opozitën, e cila pati premtuar një protestë masive në Kavajë ditën e zgjedhjeve.

Në një fjalim, Rama deklaroi se sipas tij, ka një plan për destabilizimin e vendit, duke iu referuar protestës së thirrur nga opozita dhe se për këtë arsye ai i ka kërkuar kandidatit të tij të tërhiqet.

Posti i kryetarit të Bashkisë Kavajë mbeti vakant pasi kryebashkiaku i mëparshëm Elvis Roshi u shkarkua nga qeveria për shkak se u kap nga ligji i dekriminalizimit. Kandidati aktual i socialistëve Klodian Shehi është aktualisht nënkryetar i Bashkisë Kavajë.

Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj refuzuan të regjistroheshin në zgjedhjet e 7 majit në Kavajë dhe në vend të saj deklaruan së fundmi se do të organizojnë një protestë masive ditën e zgjedhjeve me pjesëmarrje nga militantët e saj nga qytete të tjera me synimin për të bllokuar zgjedhjet. Në garë për Kavajën është edhe një kandidat tjetër, Astrit Haka, i cili është regjistruar si kandidat i pavarur. Por mbetet e paqartë nëse në Kavajë do të ketë apo jo zgjedhje këtë të dielë.

Situata politike në vend është karakterizuar nga një protestë e gjatë e opozitës që nga 8 shkurti i këtij viti, shoqëruar me bojkotimin e punimeve të kuvendit prej saj dhe refuzimit për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.

Opozita thotë se nuk i konsideron zgjedhjet e 18 qershorit të lira dhe të barabarta, për shkak të asaj që e konsideron si kanabizim i vendit, kriminalizim i administratës publike dhe mungesën e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit.

Qeveria thotë se opozita efektivisht ka dalë në protestë për të bllokuar zbatimin e procesit të vetingut, pjesa kyç e Reformës në Drejtësi, e cila nënkupton kontrollin e aftësive profesionale, dinjitetit moral dhe pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve ekzistues dhe shkarkimin e atyre që do të rezultojnë të korruptuar, me lidhje me krimin apo të paaftë. Opozita është pjesë e procesit të krijimit të komisionit parlamentar për krijimin e komisionit të vetingut dhe për shkak se opozita nuk merr pjesë në punimet e kuvendit, i gjithë procesi është i bllokuar.

Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha janë takuar disa herë gjatë ditëve të fundit me presionin e ndërkombëtarëve për të arritur një kompromis për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjen e 18 qershorit. Deri më sot nuk ka pasur një kompromis.

Rama deklaroi sot se i jep afat deri të dielën opozitës ndërsa të hënën nuk do të jetë më i gatshëm për bisedime.

(https://www.reporter.al/rama-terheq-kandidatin-ne-kavaje-ne-kerkim-te-kompromisit/)