Rama sulmon verbalisht prokurorinë për çështjen «Tahiri»

Kryeminstri Edi Rama përdori të gjithë oratorinë e vet për të diskretituar kërkesën e prokurorisë për arrestimin e Tahirit, ndërsa kjo e fundit e akuzoi kryeministrin se «ka marrë rolin e gjykatësit» si dhe kritikoi atë që e quajti «mungesë sinqeriteti në luftën kundër korrupsionit dhe reformën në drejtësi».

Edi Rama.



Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka vendosur të përjashtojë përkohësisht ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri nga grupi parlamentar socialist «deri në përfundim të hetimeve», por i konsideroi akuzat ndaj tij «farsë» dhe nuk tha nëse ai dhe deputetët e tij do të votojnë në seancë plenare për lejimin apo jo të arrestimit të tij nga prokuroria.

Rama foli mëngjesin e së hënës në një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, mbledhje që nisi me një tentativë jobindëse për të krijuar përshtypjen se «punët vijojnë si zakonisht». Kryetari i grupit Taulant Balla foli për axhendën e mbledhjes, «vlerësim të seancës plenare» të mëparshme dhe «interpelancën e Ministrit të Bujqësisë», por Rama vijoi të flasë për më shumë se 35 minuta për çështjen Tahiri duke sulmuar në mënyrën më të paimagjinueshme prokurorinë, aq sa disa analistë rikujtuan sulmin që ish-kryeministri Sali Berisha i bëri këtij institucioni pasi ky i fundit kërkoi të hetonte vrasjet e katër protestuesve në protestën e 21 janarit 2011.

Duke abuzuar verbalisht në mënyrë të përsëritur ndaj Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Rama përdori togfjalësha të tillë si: «fronti i çorbës së vjetër», «paraqitje komike», «gjyq farsë i inskenuar nga amatorë inatçinj», «kopje surrogato e gjyqit politik» dhe «zgafella injorance institucionale», ndërkohë që në mënyrë të përsëritur u rrek të theksonte se nuk dëshironte të jepte përgjigje për pyetjen «a është i pafajshëm Saimir Tahiri».

«Është kopje surrogato e gjyqit politik që e kemi parë 4 vite në Parlament. Por, pyetja a është i pafajshëm nuk është e tepërt», deklaroi Rama. «Për mua nga çasti i parë, sot e deri kur të dalë e vërteta nuk ka rëndësi asgjë tjetër përveç përgjigjes së pyetjes «a është i pafajshëm Saimir Tahiri?». Kësaj pyetjeje unë nuk i iki», shtoi ai.

Duke i konsideruar provat e grumbulluara nga drejtësia italiane si «letra magazinash nga Italia», Rama akuzoi se gjendej në sulm politik dhe premtoi se nuk do të lejojë që «drejtësia të hyjë në spiralen e një farse ndaj një deputeti».

Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila është përballur me një sulm frontal politik dhe mediatik në lidhje me çështjen Tahiri, lëshoi një deklaratë pak pas fjalimit të Ramës, ku theksoi se ajo «nuk intimidohej», ndërsa e akuzoi Ramën për mungesë sinqeriteti në lidhje me Reformën në Drejtësi.

«Gjithçka çfarë u deklarua publikisht nga Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama, paraditen e së Hënës (dt. 23.10.2017) shkon në të kundërt të asaj që është deklaruar për dy vite me radhë-Reformën në Sistemin e Drejtësisë», deklaroi Prokuroria, duke argumentuar se kryeministri efektivisht ka shprehur opinionin e tij mbi provat e paraqitura, duke marrë «rolin e gjykatës, një atribut që nuk i takon as me Kushtetutë dhe as me ligj».

Duke sinjalizuar se në lojën politike të vendit aktualisht nuk është vetëm çështja Tahiri, prokuroria i lejoi vetes në mënyrë të pazakontë të bëjë një koment politik. Në deklaratën e saj shkruhet: «Në vlerësimin tonë, ky qëndrim publik i Kryeministrit është sinjal i qartë që lufta kundër korrupsionit në nivele të larta, qëllimi i të cilës ishte edhe miratimi i Reformës në Drejtësi, do të kontrollohet nga politika». Rama iu përgjigj menjëherë me një njoftim për shtyp të zyrës së kryeministrit, duke e konsideruar këtë deklaratë «komunikata që ngjajnë si të shkruara në selitë e partive politike».

«Kryeministri i Shqipërisë, mbron pikëpamjen se detyra e organit të Prokurorisë nuk është as të dëgjojë politikën, as të replikojë me politikanët, as të publikojë në media opinionet e saj, për çfarë thotë një politikan a një tjetër. Po ashtu organi i akuzës, sipas Kryeministrit, as ka detyrën dhe as ia lejon etika e funksionit të vet të ushqejë debatet politike», thuhet në deklaratën e kryeministrisë.

Partia Demokratike në opozitë i bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë «t’i bëjnë presion Edi Ramës për të ndaluar këtë fushatë kërcënimesh dhe presioni ndaj drejtësisë». Kreu i opozitës Lulzim Basha tha: «Nëse politikanë nën hetim për lidhje me trafikun e drogës si Saimir Tahiri lejohen të kërcënojnë dhe shantazhojnë drejtësinë, në Shqipëri do të thellohet sundimi i krimit dhe korrupsionit».

Çështja «Tahiri» nisi kur drejtësia në Itali goditi një organizatë kriminale me bazë në Shqipëri të drejtuar nga Vëllezërit Habilaj. Policia italiane në tre raste shkroi në kërkesën e paraqitur në Gjykatën e Katanias për marrjen e masave të sigurisë për të akuzuarit se këta të fundit flasin për dhënien e parave për një person me emrin Saimir, të cilin, policia italiane e ka identifikuar si Saimir Bashkim Tahiri. Prokuroria shqiptare thotë se bazuar në këto të dhëna, si dhe në të dhëna të tjera të klasifikuara si «sekret hetimor», ka marrë nën hetim dhe ka kërkuar arrestimin e tij. Tahiri deklarohet i pafajshëm.

(https://www.reporter.al/rama-sulmon-verbalisht-prokurorine-per-ceshtjen-tahiri/)