Rama: Në ndeshjen me Serbinë ta bëjmë diferencën jo vetëm në fushën e lojës

Kryeministri Edi Rama, mori pjesë në ceremoninë e dhënies së titullit Doctor Honoris Causa, trajnerit të kuqezinjve. Sias tij, italiani i mësoi skuadrës që në radhë të parë të jetë e vërtetë ndaj lojës për të bërë të mundur që loja të jetë e vërtetë për skuadrën.




«E falë tij sot, skuadra jonë kombëtare mund të fitojë, mund të barazojë, mund të humbasë, por në çdo rast është e vërtetë me lojën dhe prandaj edhe ne i jemi pas çdo ndeshjeje mirënjohës kësaj skuadre, pavarësisht nga rezultati», ka thënë Rama, transmeton Koha.net.

Kjo e vërtetë, merr një kuptim edhe më të posaçëm në prag të ndeshjes vendimtare me Serbinë, ka thënë Rama.

«Një ndeshje padyshim vendimtare për t’u kualifikuar direkt në Europianin e Francës, por vendimtare edhe për një arsye tjetër: Për të bërë diferencën jo vetëm në fushën e lojës, po dhe në shkallët e stadiumit. Për të provuar se ne jemi ndryshe, se ne dimë jo vetëm të mbështesim me zjarr lojtarët tanë, por edhe të respektojmë kundërshtarin në fushën tonë; se ne dimë jo vetem të këndojmë njëzëri himnin tonë, po edhe të respektojmë në qetësi himnin e kundërshtarit; se ne dimë jo vetëm të përballemi me të gjithë forcën e bashkuar të zemrave tona në fushën e një ndeshjeje vendimtare për kualifikimin, po dimë edhe të tregojmë se jemi një komb i etur për sukses po dinjitoz deri në minutën e fundit, rreth një kombëtareje, që falë Gianni De Biasit mbetet dinjitoze në çdo rezultat, fitore, në barazim apo në humbje».

Rama në fjalimin e tij ka cituar edhe pjesë nga fjalimi i yllit të basketbollit Michael Jordan.
«‘Just play, have fun, enjoy the game’, thotë superkampioni, Michael Jordan, dhe miku ynë De Biasi thotë po ashtu të njëjtën gjë përpara se sa në kulmin e tensionit, djemtë e tij të hyjne në fushë. Kjo vlen edhe për të gjithë ne të tjerët që bashkë me ta, do të jemi kundër Serbisë në Elbasan Arena, ku duhet të fitojë Kombëtarja Kuqezi po ku mbi të gjitha duhet të fitojë Shqipëria Europiane e Fair Play-t dhe mikpritjes».