Rama ia «anulon ftesën» për ndeshje Thaçit, pret ardhjen e Vuçiqit

Në ndeshjen futbollistike Shqipëri - Serbi, e vlefshme për kualifikimet për kampionatin evropian «Franca 2016», tashmë është e sigurt se do të marrë pjesë kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi që kreu i Qeverisë shqiptare, Edi Rama, «ia ka anuluar ftesën» Hashim Thaçit, shkruan të martën gazeta serbe «Danas», duke u mbështetur në burime politike të afërta me pushtetin në Prishtinë.




«Për kryeministrin shqiptar në këtë moment më e rëndësishme sesa politika është që ndeshja me Përfaqësuesen e Serbisë të kalojë pa kurrfarë incidentesh dhe që ai këtë ndeshje ta përcjellë ashtu siç është paralajmëruar tashmë, në shoqëri me Aleksandar Vuçiqin», shkruan «Danas», transmeton «Koha Ditore».

I njëjti burim i paidentifikuar citohet t’i ketë thënë gazetës «Danas» se «Thaçi definitivisht ka hequr dorë nga prania në ndeshjen që do luhet në Elbasan, më 8 tetor, dhe se për këtë kabineti i kryeministrit shqiptar tashmë e ka njoftuar kryeministrin Vuçiq» dhe se «pritet që ai tani të marrë vendimin për ardhje në ndeshjen futbollistike».