Rahovecianët në hall nga qentë endacakë

Është mbajtur sot mbledhja e Këshillit Komunal të Rahovecit për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku u raportua për sigurinë dhe për fillimin e vitit të ri shkollor 2014- 2015, duke u vlerësuar se situata e sigurisë në komunën e Rahovecit është e qetë dhe stabile.




Mbledhjen e ka drejtuar kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, transmeton Koha.net.

Bekim Vuçitërna, toger në Stacionin Policor të Rahovecit, duke raportuar gjendjen e sigurisë në komunë në dy muajt e fundit dhe ka thënë se sa i përket rendit dhe qetësisë publike, kanë pasur vetëm një rast të prishjes së qetësisë publike, ndërkaq në vitin e kaluar kanë qenë tri raste, çka nënkupton rënie.

Togeri Vuçitërna në vazhdim thotë se brenga e qytetarëve mbeten qentë endacakë të cilët paraqesin rrezik permanent edhe për nxënësit, sidomos në orët e mbrëmjes, por projekti për strehimin e tyre është në vazhdimësi.

Kryetari Vehapi e vlerësoi raportin e Vuçitërnës, duke thënë se komuna është në vazhdimësi duke përcjellë dhe duke bashkëpunuar me Stacionin Policor në Rahovec, dhe në saje të këtij bashkëpunimi, situata e sigurisë është e qetë dhe stabile.