Radovan Karaxhiq rikujton si shmangu arrestimin në Beograd

Ish-presidenti serb i Bosnjës Radovan Karaxhiq, i cili po pret apelin kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime të tjera lufte, tregoi për një gazetë serbe se si maskohej ai gjatë kohës që ishte në arrati.

Radovan Karaxhiq. Foto: Tribunali i Hagës



Radovan Karaxhiq tha në një intervistë të ndarë në dy pjesë për gazetën serbe Vecernje Novosti se ai ra nga pesha që policia të mos e njihte nga fotografitë e tij të kohës së luftës në Bosnjë gjatë kohës që ai fshihej në Beograd para arrestimit të tij nën akuzat për krime lufte.

Karaxhiq tha se humbi më shumë se 30 kilogramë peshë, që ishte «kamuflazhi i tij më i rëndësishëm».

«Përveç kësaj, vishja këmisha më të gjera, pantallona të gjera dhe rroba të tjera, të cilat ishin aq të mëdha saqë të mos dukesha që isha unë. Duhej të flisja me theks serb, gjë që nuk ishte aspak e vështirë për mua», shtoi ai.

Në vitin 1996 Gjykata e OKB-së në Hagë lëshoi një urdhër arresti për Karaxhiqin, por ai u arrestua vetëm 12 vjet më vonë kur policia arriti ta ndalonte atë në kryeqytetin serb, të maskuar si një «shërues shpirtëror».

Karaxhiq tha në intervistë se pas largimit të tij nga presidenca serbe e Bosnjës, ai «lëvizte rrotull lirshëm» në territorin serb të Bosnjës, duke besuar se ai kishte një «marrëveshje të fshehtë» me të dërguarin amerikan për Ballkanin, Richard Holbrooke, e cila do ta lejonte atë të shmangte ndjekjen penale, nëse ai hiqte dorë nga jeta publike.

Holbrooke mohoi t’i ketë dhënë ndonjëherë ndonjë siguri të tillë atij dhe ndërsa kërkimi për të rritej, Karaxhiqi u arratis në Beograd për të shmangur arrestimin.

Pasi qeveria serbe miratoi një Ligj për Bashkëpunim me Gjykatën e Hagës, Karaxhiqi tha se nuk donte t’u hapte telashe njerëzve që po e strehonin atë, kështu që vendosi të jetonte vetëm.

«Dilja natën vonë për ndonjë shëtitje dhe blija ushqim», risjell në mendje ai.

Por kur policia e Beogradit filloi të kërkonte vendet e fshehjes që përdoreshin nga Klani kriminel Zemun, i cili ishte i përfshirë në vrasjen e kryeministrit serb Zoran Gjingjiq në vitin 2003, ai tha se vendosi të shfaqej më shpesh në publik, për t’i treguar fqinjëve të tij se ai nuk po fshihej.

«Pastaj ndodhi që ndërsa kërkoja një stil të shëndetshëm jetese, gjeta disa leksione në lidhje me këtë dhe papritur u bëra pjesë e saj», tha Karaxhiq.

Atij i mbaruan paratë dhe filloi të jepte leksione dhe të punonte si konsulent për kompani private shëndeti, bëri një kurs parapsikologjie dhe u prezantua si shërues nën emrin dr. David Dabiq.

Ai u arrestua më në fund në vitin 2008 në Beograd dhe u transferua në Hagë, ku vitin e kaluar u dënua për gjenocid të boshnjakëve nga Srebrenica, persekutim të boshnjakëve dhe kroatëve në të gjithë Bosnjën dhe Hercegovinën, terrorizim të popullsisë së Sarajevës dhe pengmarrje të paqeruajtësve të OKB-së.

Intervista në Vecernje Novosti ishte e fundit nga disa që ka dhënë Karaxhiqi, të cilat ai i ka përdorur kryesisht për të treguar pafajësinë e tij, duke bërë që viktimat boshnjake të luftës ta akuzojnë atë që po përpiqet të rishkruajë historinë.

Tamara Skrozza, një anëtare e Këshillit të Shtypit të Serbisë, tha se intervista e fundit nuk përmbante komente që shkelin të drejtat themelore të njeriut, por kishte si synim ta portretizonte Karaxhiqin si një njeri i pafajshëm.

«Ideja e vetme është të rrisë paksa qarkullimin, sepse ai ka gjithmonë audiencën e tij dhe në një farë mënyrë të kontribuojë në rehabilitimin publik të Radovan Karaxhiqit dhe të ri-përcaktojë karakterin dhe punën e tij si diçka pozitive,” tha Skrozza për BIRN-in.

(https://www.reporter.al/radovan-karaxhic-rikujton-si-shmangu-arrestimin-ne-beograd/)