Radha e Bullgarisë

Sofja po i dërgon sinjale Moskës




Presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, ka nisur goxha moti të thotë atë çfarë shumë krerë të Evropës Qendrore dhe Ballkanit nuk guxojnë madje as ta çojnë nëpër mend. Në fjalimin e tij të 7 majit në ceremonitë e Gdanskut që shënuan fundin e Luftës së Dytë botërore, ai e quajti Vladimir Putinin imperialist të shekullit të nëntëmbëdhjetë, që po krijon sferat e tij të ndikimit në Evropë. Vetëm disa muaj më parë, Plevneliev i deklaroi «Frankfurter Allgemeine Zeitungut» kështu: «Ne të gjithë duam të shohim një vend që ka nxjerrë Tchaikovskyn, Tolstoyn dhe Dostoevskyn, si partner. Megjithatë, faktet dëshmojnë se ditëve të sotme kemi punë me një tjetër Rusi – një shtet nacionalist, agresiv të sunduar prej një presidenti që e sheh Evropën si kundërshtare, e jo si partnere». Ai ka vazhduar pa ia ndarë me kritikat e tij, gjithashtu duke akuzuar Moskën se po mundohet të përçajë Bashkimin Evropian dhe se po dëshiron të destabilizojë Ballkanin.

Qëndrimi anti rus i Plevnelievit është një ndryshim befasues në ton në një shtet që moti kohë është konsideruar si kali trojan i Rusisë në Bashkimin Evropian. Në fakt, edhe pse shumë vende të ish-bllokut lindor që tani janë pjesë e BE-së – përfshirë Poloninë dhe shtetet baltike – e shohin Rusinë si pushtuese historike dhe sfidë jashtëzakonisht serioze për sigurinë, Bullgaria për një kohë të gjatë e ka konsideruar Moskën – me të cilën ndan histori të përbashkët dhe ngjashmëri gjuhësore – të jetë aleate e mirë. Në kulmin e fuqisë sovjetike, Ballgaria ishte një prej aleateve më besnike të Bashkimit Sovjetik – deri në atë shkallë, saqë sekretari i parë i Partisë Komuniste Bullgare, Todor Zhivkov, kishte propozuar disa herë që Bullgaria të shpallej Republika e gjashtëmbëdhjetë sovjetike.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, vetëm një qeveri në Bullgari – administrata e qendrës së djathtë që kishte qeverisur gjatë fundit të viteve nëntëdhjetë – kishte guxuar të merrte përsipër rrezikun të dobësonte marrëdhnëiet me Moskën. Shumica e qeverive tjera prej asaj kohe ishin afruar më shumë me Rusinë. Dhe populli bullgar duartrokiste: Sipas një anketimit të kryer më 2012 prej Fondacionit Communitas, 78 për qind e bullgarëve e shohin Rusinë me sy pozitiv, që ishte shifra më e lartë në mesin e shteteve anëtare të NATO-s dhe të BE-së. Një anketim i vitit të kaluar ka treguar se 22 për qind e bullgarëve të anketuar kanë shprehur dëshirën që vendi t’i bashkohet Unionit Euroaziatik të prirë prej Rusisë.

Ka një nismë të fuqishme ekonomike për Sofjen për të plotësuar nevojat e Moskës. Bullgaria blen 100 për qind të gazit prej «Gazpromit» të Rusisë. Impianti i vetëm bërthamor i Bullgarisë në Kozloduy, nja njëqind kilometra në veri të Sofjes, punon me material rus dhe rafineria e vetme bullgare kontrollohet plotësisht prej «Lukoil»-it rus, që gjithashtu është ndërmarrja më e madhe industriale në Bullgari, dhe kështu një kontributor i rëndësishëm në punësimin e bullgarëve dhe të GDP-së. Në fund të fundit, Bullgaria është një prej vendeve në krye të listës së pushimeve për shtresën e mesme ruse, që kontribuon me dhjetë për qind të të hyrave të vendit nga turizmi.

Duket si një vetëvrasje politike për Plevnelievin që të dalë kaq hapur e vendosur kundër Rusisë dhe agresionit rus në Krime. Prapëseprapë, prej fillimi, ai e ka quajtur Rusinë «një prej kërcënimeve më serioze ndaj paqes dhe sigurisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore».

Pavarësisht prej retorikës së zjarrtë të Plevnelievit, veprimet e Sofjes kundrejt Ukrainës kanë qenë të vakëta, madje edhe neutrale. Në kulmin e protestave në «Maidan» të Kievit, politikanët bullgarë zbatuan politikën «mos bëj asgjë», duke përcjellë pasivisht ngjarjet dhe duke i përmendur kohë pas kohe shqetësimet për minoritetin bullgar që jeton në rajonin jugperëndimor të Odesës. Çelësi se pse ndodh kjo është te lidhjet e dobëta sociale, kulturore dhe historike ndërmjet Bullgarisë dhe Ukrainës. Megjithëse dy vendet kanë dalje të përbashkët në Detin e Zi, ato kanë ruajtur njëfarë distance.

Qëndrimi i dobët i Sofjes në Bashkimin Evropian është një tjetër faktor. Tetë vite pas anëtarësimit në BE, Bullgaria ka ngelur larg prapa anëtarëve të rinj, si Hungaria, Sllovakia, ose Rumania, dhe konsiderohet si një shtet që sjell veç telashe, radhitur në fund të listave të shteteve të Bashkimit Evropian në indekse të perceptimeve të korrupsionit dhe të lirisë së shtypit të «Transparency International». Nuk është habi se Sofja do të mbante qëndrimin e spektrit të gjerë dhe të moderuar të BE-së për Ukrainën me qëllim që të mos izolonte veten edhe më shumë.

Me fjalë të tjera, toni i vendosur i Sofjes ndaj Rusisë nuk ka shumë lidhje me shqetësimin për stabilitet në Ukrainë. Strategjia agresive e Bullgarisë ndaj Moskës më shumë shpjegohet prej kombinimit të lojës së sertë ruse me Bullgarinë dhe veprimeve trimëruese të Perëndimit. Sofja gjatë viteve të fundit është goditur nga kriza ekonomike dhe varësia energjetike e tubit të gazit të Rrjedhës Jugore për Bullgari nëpërmjet Detit të Zi, duke fajësuar Sofjen se po i nënshtrohej kundërshtimit të BE-së për marrëveshjen. Menjëherë pas atij vendimi, kryeministri bullgar, Boyko Borisov, u takua me Angela Merkelin dhe komisionarin për Unionin e Energjisë të BE-së për të kërkuar mbështetjen e tyre për marrëveshjet e energjisë. Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vizitoi në janar Sofjen që të këshillonte qeverinë të kërkonte burime alternative të gazit. Dhe Parlamenti Bullgar dy muaj më vonë ratifikoi marrëveshjen për mirëmbajtje të Modulit të Komunikimeve të dërguara të NATO-s, një njësit që kishte për qëllim të furnizonte NATO-n me informacione për operacionet. Ishte njësiti i tretë i tillë në Bullgari, duke sinjalizuar ngritjen e bashkëpunimit të vendit me NATO-n.

Plevnelievi nuk është i vetmi në Bullgari që po distancon veten prej Moskës; shumë anëtarë të tjerë në kabinetin aktual qeveritar janë prapa tij. Ministri i Mbrojtjes, Nikoley Nenchev, kërcënoi të rriste buxhetin e mbrojtjes si kundërpërgjigje ndaj agresionit rus në Ukrainë dhe pastaj refuzoi të vazhdonte një kontratë për aeroplanët luftarakë të Rusisë, MIG-29. Ministri i Punëve të Jashtme, Daniel Mitov, është një yll politik në ngritje dhe është jashtëzakonisht i zëshëm kundër Moskës, duke zemëruar Rusinë deri në atë shkallë saqë Sergey Lavrov, ministër i Jashtëm rus, publikisht e quajti politikën e tij revizioniste dhe e akuzoi se po kërkon ndarjen e Maqedonisë.

Por prapëseprapë, kabineti drejtohet prej Borisovit – lider i partisë konservative populiste dhe centriste, GERB (Qytetarët për Zhvillim Evropian të Bullgarisë) – që është lojtar skajshmërisht i paparashikueshëm. Gjatë mandatit të parë në krye të qeverisë gjatë viteve 2009-2013, kërkoi politikë të balancuar ndërmjet Perëndimit dhe Rusisë, me qëllim që të mos përplasej me asnjërën. Kësaj here, duket se po luan lojë të ngjashme. Në njërën anë, vetë ka këkruar prej Perëndimit të veprojë me vendosmëri kundër agresionit rus në Ukrainë. Në anën tjetër, partneri i vogël i koalicionit të GERRB-it është partia e vogël majtiste, Alternativa për Rilindjen Bullgare (ABV), që konsiderohet pro-ruse.

Sidoqoftë ka mundësi se në kohën kur po thellohet kriza në Ukrainë, Borisovi mund të mbajë një qëndrim edhe më të sertë. Para së gjithash, ai ka kujtime të hidhura personale prej punëve me Rusinë. Kabineti i prirë prej Borisovit ishte detyruar në mars të vitit 2013 të jepte dorëheqje pas demonstratave masive kundër çmimit të lartë të rrymës dhe të çmimeve të ujit të nxehtë në qytetin jugperëndimor Blagoevgrad, që pastaj u shpërndanë në më shumë se tridhjetë qytete anembanë vendit. Ato protesta ishin kryesisht antiqeveritare dhe kundërpërgjigje ndaj korrupsionit, autoritarizmit dhe stagnimit ekonomik. Por elita e GERB-it dhe mbështetësit e tij fajësuan zërat që flisnin kundër Rusisë. Atëherë, ministri i Financave, Simeon Dyankov, tha: «Ishte ‹Gazpromi› që rrëzoi qeverinë tonë, duke ngritur çmimet e energjisë në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara». Pavarësisht a është e vërtetë a jo, teoria – Rusia ngacmoi me çmimet e energjisë që të rrëzonte qeverinë e Borisovit, që nuk punonte në favor të Moskës – tashmë është legjendë.

Sofja duket se më në fund e ka kuptuar se varësia nga Rusia nuk është model për zhvillim të qëndrueshëm dhe se agresioni i Rusisë në Ukrainë është kërcënim i drejtpërdrejtë sigurie. Kjo duket se është një bindje e ngulitur thellë jo vetëm në elitën konservative në pushtet, por edhe në mesin e bullgarëve. Një anketim publikuar së fundi nga «Alpha Research» ka treguar se më shumë se shtatëdhjetë për qind e bullgarëve favorizojnë Brukselin karshi Moskës. Nëse Bullgaria është në të vërtetë kali trojan i Rusisë në Bashkimit Evropian, atëherë nuk është kalë i mirë.

«Foreign Affairs»

*Autori është drejtues i Programit të Evropës Qendrore në Institutin Polak të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Varshavë dhe gazetar i lirë. Ka shkruar për «The National Interest» dhe «Prospect Magazine», në mesin e shumë gazetave e revistave të tjera.