Racizëm nga Drenica

Nëse nuk i përket vëllazërisë kriminale me origjinë nga Drenica, atëherë nuk je i denjë për post publik. Ky është mesazhi i Sami Lushtakut ndërsa në bisedë me Adem Grabovcin proteston dhe shan me fjalët më vulgare kundër emërimit të qytetarit nga Vitia në një post publik. Ky është racizëm – kësaj radhe nga Drenica kundër pjesës tjetër të Kosovës. Dhe ky racizëm është po aq i dëmshëm sa racizmi kundër drenicakëve.

Prej shumë vitesh ka njerëz nga rajoni i Drenicës që me të drejtë ankohen se ekziston një racizëm latent në shumë qytete të mëdha të Kosovës kundër drenicakëve. Barsoletat e hidhura për «të pagdhendurit» e Drenicës, që Prishtinën e kanë shndërruar gjoja në çiflig të tyre, janë shpesh pjesë e muhabeteve në tavolina, jo vetëm kur protagonistëve u skuqen sytë nga pija. Si shoqëri duhet të kundërshtojmë këtë racizëm.

Por, sot, ndërsa po dëgjojmë muhabetin mes Sami Lushtakut dhe Adem Grabovcit nga seria Pronto II e portalit Insajderi, jemi dëshmitarë të një shfryrjeje primitive dhe një racizmi të drenicakut Lushtaku kundër rajoneve të tjera të Kosovës. Kur Grabovci e njofton kumanir Lushtakun se drejtor i Infrakosit është emëruar Agron Thaçi nga Vitia, njeriu i fuqishëm i Drenicës thotë: «E… hallall i koftë. N’Viti jeni shku». Në vazhdim të bisedës Lushtaku shton: «Mirë mirë, po ju po na rrast qishtu, kur prej Vitie e keni pru aty».

Agron Thaçi mund të jetë ndonjë militant i PDK-së, ndryshe s’do e merrte postin në Infrakos. Por, afërsia e tij me PDK-në nuk i bën punë, sepse nuk e ka «origjinën e duhur», andaj është i padëshirueshëm për Sami Lushtakun. Nuk është nga Drenica, është nga Vitia. Në asnjë nga bisedat e serisë Pronto II të publikuara deri më tani nuk bëhet fjalë për aftësitë profesionale të kandidatëve për borde e agjenci. Gjithçka sillet rreth çështjes: a është me ne a me ata, a është i yni a i atyre, a është i LDK-së apo i PDK-së, a është «i anës sonë» apo jo.

Ky mentalitet kusarësh ka zaptuar shtetin e Kosovës. Pa e çrrënjosur nga shteti dhe pushteti kancerin e quajtur PDK ky vend nuk ka ardhmëri të mirë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet t’i besojnë asnjë premtimi që bëjnë krerët e PDK-së se tani kjo parti do të reformohet, do të angazhojë figura të reja, djem e vajza të shkolluar në Amerikë. Përralla të rrezikshme janë këto, sepse shtrati politik dhe ideologjik i PDK-së është i përbërë nga krimi dhe gjaku i njerëzve të pafajshëm që pas luftës i ka ngrënë terri në marshin e madh të kumanirave për pushtet dhe plaçkitje. Në zenitin e pushtetit Sami Lushtaku ndihet aq i sigurt, saqë i kërkon Grabovcit t’ia punësojë mikun (me gjasë vëllain e gruas), duke i thënë «shefit të shefave»: «E ta hansha synin ty, po lyp qi nanen. Edhe tash atë mikun tem e merr ai… Tash atë mikun tem, se hala s’u hi n’punë ai miku jem».

Biseda e publikuar sot, e cila përmban tone raciste kundër një pjese të Kosovës, duhet të zgjojë nga kllapia veçanërisht njerëzit e Drenicës – ata që jetojnë atje, ata që jetojnë në Prishtinë prej dekadash dhe ata që kanë ardhur në kryeqytet pas luftës. Vetë banorët e Drenicës duhet të ngrenë zërin kundër kësaj gjuhe raciste, nënçmuese, arrogante e primitive. Vitia është pjesë e Kosovës po aq sa është Skenderaj. Në Viti ka po aq patriotë e taksapagues sa ka edhe në Drenicë. Ndoshta në Viti ka më shumë qytetarë lojalë ndaj shtetit të Kosovës se në pashallëkun e Sami Lushtakut. Njerëzit racionalë të Drenicës sot duhet të dalin kundër një kusari siç është Sami Lushtaku, siç është krejt vëllazëria e tij politike, me të cilën sundon Kosovën. Nëse edhe kësaj radhe heshtin ata drenicakë që nuk duhet të heshtin, mos të ankohen që në Prishtinë shikohen me zemërim e përbuzje.

Me decenie të tëra gjatë komunizmit jugosllav rajoni i Drenicës është lënë anash, ndëshkuar, trajtuar me përçmim për shkak të traditës kryengritëse dhe sidomos për shkak të rezistencës kundër regjimit komunist jugosllav në fund të Luftës së Dytë Botërore. Çlirimi i Kosovës ka krijuar shansin për korrigjimin e shumë padrejtësive ndaj Drenicës. Sidomos pas ardhjes së PDK-së në pushtet investimet në infrastrukturë në Drenicë janë rritur dhe parimisht këtu nuk ka gjë të keqe. Çdo vend së pari investon në rajonet me strukturë të dobët. Por, ndërkohë PDK është larguar nga ideja fillestare e korrigjimit të padrejtësive ndaj Drenicës, sepse investimet dhe punësimet qëmoti bëhen për arsye klienteliste, nepotiste, plaçkitëse. Nuk bëhen investime në infrastrukturë dhe punësime në administratën publike për të përparuar vendin, por për t’ju hakmarrë pjesës tjetër të Kosovës, ta zëmë Gjakovës dhe Anamoravës, dy rajone të injoruara pafund, edhe për shkak të përfaqësuesve të dobët politikë.

Me këtë mendësi qeverisëse PDK po e polarizon shoqërinë prej vitesh, po nxit urrejtje mes rajoneve, po shkakton tensione mes qytetarëve, po betonon pabarazinë dhe po thellon krizën sociale. Nëse nuk i përket vëllazërisë kriminale me origjinë nga Drenica, atëherë nuk je i denjë për post publik. Ky është, fatkeqësisht, mesazhi i Sami Lushtakut ndërsa në bisedë me Adem Grabovcin proteston dhe shan me fjalët më vulgare kundër emërimit të qytetarit nga Vitia në një post publik. Ky është racizëm – kësaj radhe nga Drenica kundër pjesës tjetër të Kosovës. Dhe ky racizëm është po aq i dëmshëm sa racizmi kundër drenicakëve.