Racisti

Presidenti Donald Trump po vë zjarre. Përse po minimizohet roli i tij? Koment i revistës gjermane DER SPIEGEL.

Donald Trump. Foto: Shutterstock.



Në lagjen Queens të New Yorkut para 90 vitesh një mijë përkrahës të Ku-Klux-Klanit u përleshën me policinë, Fred Trump ishte njëri nga të arrestuarit. Procesi gjyqësor nuk u zhvillua, ashtu ishin kohërat atëherë. Fred Trump e rriti të birin e tij me vetëdijen se i takon elitës së bardhë dhe në vitin 2015, i pyetur mbi episodin e neveritshëm me Ku-Klux-Klanin, kandidati për president Donald Trump u përgjigj: «Nuk ka ndodhur kurrë. Meqë nuk është ngritur aktakuzë, nuk do të duhej të përmendej kurrë». Domethënë, e vërtetë është vetëm çfarë përfundon para gjyqit?

Më 1973 Donald Trump u akuzua, sepse 14 mijë banesat e tij në New York më me qejf ua jepte me qira të bardhëve se zezakëve. Ishte e dokumentuar dhe e dëshmuar: kërkesat për banesë u shënuan me shkronjën «C» për «colored» dhe u selektuan; zezakët refuzoheshin, pas pak minutash të bardhëve u jepej banesa. Në vitet ’80 pronari i kazinove Donald Trump mendonte se punëtorët e tij të racës së zezë ishin më dembelë se të bardhët; ai frikësohej se zezakët po e vidhnin. Në prill të vitit 1989 në Central Park të New Yorkut u përdhunua bankierja Trisha Meili dhe pas keqtrajtimit ra në komë, katër zezakë dhe një latinoamerikan u arrestuan. Trump bleu faqe të tëra gazete dhe plasoi afishe: «Bring back the death penalty!» të dënuarit pa pikë faji u futën në burg dhe shumë vite më vonë u liruan.

Në nëntor 2016 SHBA-të zgjodhën Trumpin si president, bash atë njeri, i cili Barack Obaman e kishte denoncuar si mysliman të lindur në botën e jashtme dhe sllogani i të cilit ishte «Make America Great Again». Kjo «great again» në SHBA-të socialdarviniste ka këtë domethënie: vendalinjtë sundojnë sërish emigrantët, heteroseksualët homoseksualët; e bardha sundon të zezën, burri gruan. Sllogani i Trumpit nuk mund të interpretohet ndryshe: fjalimet e tij, dekretet dhe emërimet tregojnë se kush është ai.

Trump është racist dhe nxitës i urrejtjes. Kush e quan atë një burrë paksa të vrazhdë, të pagdhendur, i cili qartë nuk dëshiron të jetë politikan i butë, ai e ledhaton atë akoma. «Trump teston idetë në Twitter, pastaj i përsërit dhe i përsërit ato aq shpesh derisa të mësohen», thotë gjuhëtarja gjermane Elisabeth Wehling, e cila e vëzhgon Trumpin nga Barkley. Shumë amerikanë, thotë Wehling, e kuptojnë botën si agresive, si diktomi e keqes dhe të mirës, Trump i thotë tamam të vërtetat e këtyre njerëzve. Në një kohë të pasigurt të ndryshimeve presidenti i numëron fajtorët kujdestarë: emigrantët, elitat; dhe nëse në të ardhmen kryhen sulme terroriste, atëherë, sipas tij, fajin e bartin ata gjykatës liberalë, të cilët i lejojnë refugjatët të futen në vend, këtë në mënyrë profilaktike e thotë shefi i Shtëpisë së Bardhë. Pikërisht aty ku do të duhej të jetë vatra e autoritetit moral të SHBA-ve gjendet zjarrvënësi.

Në versionin e tij të përditshëm racizmi funksionon kryesisht në mënyrë subtile. Zakonisht së pari vërehen paragjykimet dhe diskriminimet: fëmijët hebraikë qëllohen me monedha, zezakët kontrollohen më shpesh nga policia se të bardhët. Së dyti, në skajin e errët ka të tillë që tërheqin penjtë dhe – së treti – në dritë ka politikanë që lozin me klishe. Të gjitha këto mund të ndodhin pavarësisht nga njëra-tjetra. Pastaj, vazhdimisht, pasojnë faza kur të gjithë akterët dalin në skenë në kohën e njëjtë. Kështu ka qenë në kohën e nazizmit gjerman, në aparteid, kështu është në Hungari prej vitesh dhe tani edhe në Amerikën e Trumpit. Në këto faza racizmi shpalos tërbimin e tij dhe kufijtë bien.

Në Gjermaninë komuniste mbrojtja e kapitalizmit konsiderohej si qëndrim i tejkaluar. Padyshim tepër herët. Në botën perëndimore ne shpresonim se mizogjinia, homofobia, antisemitizmi dhe racizmi janë qëndrime në pjesën më të madhe të tejkaluara. Tepër herët. Qëllimi i retorikës raciste është që tabutë t’i kthejë në spektrin e debatit, pra që racizmin ta bëjë qëndrim, i cili është po aq legjitim sa toleranca. Tezë dhe antitezë. Sepse, thonë ata, ne vetëm mendimin tonë po shprehim. Sepse SHBA-të, sipas tyre, janë shtet i lirë.

David Duke, udhëheqës i racistëve amerikanë, e dinte përse duhej t’i falënderohej Trumpit. Kur presidenti i SHBA-ve thotë se viktima është po aq fajtore sa vrasësi, kundërdemonstranti po aq sa ai nazisti me flamurin me kryq nazist, i cili bërtet «Jews will not replace us»; dhe kur as partia e tij tani nuk heq dorë nga Trumpi, atëherë Duke dhe Trump kanë arritur një cak të rëndësishëm. Toleranca, empatia, mirësia, shumësia e mendimeve janë njollosur si diçka politikisht korrekte, ndërsa çdo gjë tjetër mund të thuhet dhe nëse mund të thuhet, atëherë edhe dhuna mund të arsyetohet. Rrota e civilizimit po sillet prapa.