Qyteti i Zürichut kërkon policë me origjinë të huaj

Një raport propozon që në qytetin e Zürichut të punësohen më shumë policë me origjinë të huaj.

Foto: Shutterstock



Në shumë fusha Zvicra është e pakalueshme – dhe këtu hyn sidomos statistika. Në këtë vend numërohet gjithçka: insekte, trumcakë dhe njerëz, gjithsesi. Në fund të shtatorit në qytetin e Zürichut jetonin 422’153 njerëz. Prej tyre 285’214 janë zviceranë (këtu hyjnë edhe shtetasit zviceranë me origjinë të huaj). 136’939 banorë janë të huaj, domethënë ata kanë statuse të ndryshme qëndrimi. Llogaritur me përqindje i bie se në qytetin e Zürichut jetojnë 67,6 për qind zviceranë dhe 34,2 për qind të huaj.

Meqë personat me shtetësi të huaj nuk kanë të drejtë të punësohen në polici, në qytetin e Zürich në njësitë e ndryshme policore dominojnë vendasit, dmth. zviceranët. Kjo situatë duhet të ndryshojë, kërkon Qendra për të Drejtat e Njeriut në Bernë në një raport për qeverinë lokale të Zürichut. Sipas kësaj Qendre përbërja e policisë duhet të pasqyrojë shumëllojshmërinë e popullsisë. Përkthyer në gjuhë më të kuptueshme kjo domethënë se duhet të ketë më shumë policë me origjinë nga Ballkani, nga Azia, nga vendet e Europës perëndimore, për shembull nga Gjermania. Aktualisht, sipas Qendrës për të Drejtat e Njeriut në Bernë, policia në Zürich nuk reflekton heterogjenitetin e popullsisë.

Raporti trajton edhe një fenomen tjetër: shumica e të punësuarve në policinë e Zürichut jetojnë në rrethinën e qytetit apo edhe më larg qendrës. 80 për qind e të punësuarve të policisë nuk jetojnë në qytet. Raporti kërkon që të ketë më shumë policë që banojnë në qytet, pasi që ata janë më të përshtatshëm në kontakt me pakicat. Raporti është shkruar me kërkesë të departamentit të sigurisë të Zürichut pas akuzave ndaj policisë se në disa rast kishte kontrolluar njerëz vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës. Kjo metodë quhet: Racial Profiling.

Prej 2000 pjesëtarëve të policisë një e treta shërbejnë me uniformë. Sidomos në këtë sektor, sipas raportit, është me rëndësi kultura policore. Në planin strategjik të departamentit të sigurisë të qytetit të Zürichut parashihet rritja e numrit të policëve me origjinë të huaj. (dp)