Qyteti i bardhë që përshkënditi revolucionin arab

REPORTAZH - Tunizia vazhdon të jetë pishtari shndritës, një shembull se revolucioni (madje paqësor) mund të rrëzojë diktaturë dhe të pasohet nga një sistem i mirëfilltë reprezentativ që përfillë votën e popullit sovran. Por sa janë të kënaqur vetë tunizianët me ndryshimet shoqërore e politike?

Pamje nga Tunisi. Foto: Armend Bekaj



1.
Një mëngjes funddhjetori të vitit 2010, një shitës ambulant i frutave e perimeve me emrin Mohamed Bouazizi bëhej gati të vendoste tezgën e tij në tregun e qytetit. Qyteti ku jetonte Mohamedi, i quajtur Sidi Bouzid, gjendet në mes të Tunizisë dhe në jug të kryeqytetit të vendit, Tunisit. Si djalë i ri që ishte, jeta e kishte rënduar me obligime të shumta familjare. Prandaj edhe detyrohej të bënte lloj-lloj punësh vetëm e vetëm që të nxirrte dinarin (shprehja «me nxjerrë dinarin» shkon fare mirë këtu, pasi që ky është edhe emri i valutës zyrtare në Tunizi). Por krahas peripecive ditore e punës së rëndë, Mohamedit i duhej të përballej edhe me zyrtarë të administratës së komunës që herë i jepnin leje për tezgë, herë ia vononin atë, herë i kërkonin ryshfet e herë e keqtrajtonin duke e marrë në pyetje.

Ashtu ndodhi edhe atë mëngjes. Derisa Mohamedi ishte duke filluar punën, disa policë erdhën tek pika e tij e shitjes, ia përplasën frutat për toke, ia dhanë një flakaresh dhe i bërtitën që të largohej prej aty. I indinjuar, i fyer, i poshtëruar, Mohamedi nuk bëri zë, mblodhi plaçkat dhe u largua. Bleu një bidon benzinë, shkoi para ndërtesës së komunës së qytetit, u la i tëri në benzinë dhe ia dha flakën vetes. Vdiq dhe u bë heroi aksidental i një lëvizjeje popullore, u shndërrua në shkëndijën e revolucionit që brenda pak ditësh do të kaplonte tërë Tunizinë, për të vazhduar valë-valë nëpër pjesën më të madhe të botës arabe.

Mohamedi i ri përfaqësonte jo vetëm brezin e tij, por edhe pjesën dërrmuese të popullit që ishte lodhur duke jetuar i druajtur nën trysninë e diktaturës dhe varfërisë. Brezi i tij ishin rritur në një regjim autoritar dhe nuk kishin njohur jetë ndryshe. Lavdia e së kaluarës kur Tunizia ishte pavarësuar nga okupimi francez nuk ishte e mjaftueshme që të justifikonte gjendjen e tanishme sociale.

Më 1987, në një puç paqësor, ish-oficeri i ushtrisë Zine El Abidine Ben Ali kishte grabitur pushtetin nga lideri i parë, por tashmë i shtyrë në moshë, i Tunizisë post-kolonialiste, Habib Bourguiba. Ben Ali sundoi Tunizinë deri në fillim të vitit 2011 kur u detyrua të arratisej nga vendi, bashkë me familjen e tij e milionat e vjedhura. Ndërsa populli dergjej nën mjerimin e varfërisë dhe shtypjen e diktaturës, Ben Ali me familje e me miq bënin një jetë luksoze. Thuhet se kur i tekej, gruaja e tij porosiste për mëngjes kos të freskët me aeroplan nga Franca. Për ironi, Tunizia pati ngritje relativisht stabile ekonomike gjatë sundimit të tij. Por, pjesa dërrmuese e pasurisë koncentrohej në duart e një pakice, ndërsa shumica lëngonte në varfëri.

2.
Tunisi është një qytet i bukur mesdhetar ku dominon ngjyra e bardhë. Për nga klima, arkitektura dhe pamja e njerëzve që shëtisin në qendër, ke përshtypjen se je në Selanik, Vlorë, Marsejë apo Barcelonë. Është si çdo qytet tipik europian mesdhetar. Pas okupimit otoman, rreth fundit të shekullit XIX, Tunizia ra nën sundimin francez që vijoi deri në vitin 1956 kur edhe u pavarësua. Shih për këtë, trashëgimia franceze shihet kudo. Gjuha frënge flitet natyrshëm krahas arabishtes. Kuzhina tuniziane huazon diçka nga ushqimi francez, për t’u kombinuar me mëlmesa e erëza arabe-otomane. Edhe ambasada franceze zë vend mbizotërues në qendër të qytetit, e fortifikuar mbrapa barrikadave, një tanku dhe ushtarëve tunizian të armatosur që bëjnë roje para saj.

Arkitektura në Tunis është simbiozë e hareshme e një stili simetrik dhe të saktë europian, si dhe e vizatimeve, luleve e vijave të harlisura arabe e orientale. Bazamenti i infrastrukturës në qendrën e qytetit është rregulluar me kohë, atëherë kur vendi ishte koloni e Francës. Është ky një rast fatlum, ironikisht, pasi që Tunisi edhe sot gëzon pamjen e një qyteti mjaft të bukur pikërisht si pasojë e sundimit francez. Sheshi i madh i qendrës, Place de l’Indépendance, fillon lart tek pjesa e vjetër dhe e bukur e qytetit, Medina, dhe vazhdon në vijë të drejtë e të sheshtë gjer poshtë tek Avenue Habib Bourguiba, themeluesit të Tunizisë së pavarur. Statuja e Bourgibës me kapelën tradicionale në kokë, e njohur si chechia (e kuqe si fesi turk, por pa xhufka, apo si plisi shqiptar por e rrafshët në krye), hipur mbi kalin e tij, përshëndet ngadhënjimtar qytetin dhe popullin e vet tunizian.

Në mbrëmje zëri i myezinit thërret nga minaret e bukura përreth. Sheshet janë plot e përplot të rinj (por edhe të reja) të ulur në trotuaret para kafeneve. Ata zakonisht pinë çaj me gjethe mente, apo kafe turke me ujë lulesh të portokajve, sodisin turistët dhe diskutojnë të ardhmen e tyre. Edhe pse shoqëri myslimane, mbretëron një klimë mjaft liberale dhe tolerante, të paktën në vendet urbane. Rrethet rurale, siç mund të pritet, janë më konservatore. Gjatë sundimit të tij, Ben Ali kishte qenë përbuzës ndaj fesë, duke e konsideruar si mbeturinë të prapambetjes dhe të kaluarës. Të ishe modern dhe në hap me kohën do të thoshte të ndaje fenë nga shteti, ta emancipoje gruan duke ia hequr ferexhenë. Mirëpo tash, në kohërat e demokracisë, njerëzit janë të lirë të praktikojnë fenë si duan vetë. Disa nga partitë më të mëdha promovojnë praktikimin e fesë islame. Parti të tilla ishin të paligjshme para revolucionit. Edhe pse Tunizia vazhdon të ruajë një karakter të fortë laik në drejtimin e punëve publike, mbetet të shihet se si do të bashkëjetojnë feja dhe shteti në të ardhmen e saj.

3.
Që nga revolucioni, Tunizia ka arritur të ketë tri palë zgjedhje në nivel nacional, ndërsa zgjedhjet e para lokale u mbajtën më 6 maj të këtij viti. Në përgjithësi, deri më tash këto procese zgjedhore janë cilësuar të suksesshme dhe kanë vajtur mbarë. Duket se paqja post-revolucionare, edhe pse me momente brishtësie, është duke sjellë stabilitet. Vendi mund të konsiderohet tashmë një demokraci në konsolidim e sipër. Është shembull në rajon i rrëzimit relativisht jo të dhunshëm të diktaturës, si dhe i tranzicionit paqësor dhe civil drejt një demokracie të konsoliduar.

Këtu revolucioni u përmbush suksesshëm. Por të shohim se ç’është duke ndodhur në pjesët e tjera të Afrikës Veriore e Lindjes së Afërt: Libia pas Muamar al-Gadafit është kredhur në anarki, madje me mungesë të një qeverie legjitime qendrore. Egjipti udhëhiqet nga një ish-gjeneral i cili pretendon të ketë zëvendësuar rrobat ushtarake me ato civile, por dora e rëndë e ushtrisë ndjehet gjithandej. Siria është shndërruar në një kasaphane të gjakosur ku, përveç fraksioneve të shumta pro e kundër qeverisë, kanë gisht edhe shumë akterë të jashtëm. Larg syrit të opinionit publik, Jemeni është duke u zhytur në një konflikt të përgjakshëm civil.

E ashtuquajtura Pranvera Arabe, që shpërtheu në Tunizi në fillim të vitit 2011 për t’u shtrirë shpejt në pjesën dërrmuese të kësaj pjese të botës, u prit me shumë ngazëllim e shpresë jo vetëm nga popujt e këtyre vendeve, por edhe nga opinioni i gjerë publik. Kishte shpresa se më në fund, popujt arabë po ngriheshin njëzëri kundër zgjedhës shtypëse të diktatorëve të vet, për të përqafuar idealet e lirisë, demokracisë e të drejtave të njeriut. Për më tepër, këto ishin lëvizje të mirëfillta që buronin nga gjiri i popullit dhe nuk ishin provokuar nga jashtë. Më në fund, popujt arabë do t’ia dëshmonin botës se vlerat e demokracisë e të drejtave të njeriut nuk ishin thjesht konstrukt perëndimor, por ato mund të bashkëjetonin edhe me fenë islame.

Ngazëllimi, siç e dimë, shpejt u kthye në dhimbje e dëshpërim, pasi që revolucionet u pasuan nga konflikte civile apo regjime që nuk janë hiç më të mira sesa të mëparshmet. Tunizia vazhdon të jetë pishtari shndritës, një shembull se revolucioni (madje paqësor) mund të rrëzojë diktaturë dhe të pasohet nga një sistem i mirëfilltë reprezentativ që përfillë votën e popullit sovran. Por sa janë të kënaqur vetë tunizianët me ndryshimet shoqërore e politike?

Natyrisht, pothuaj të gjithë pohojnë njëzëri se rrëzimi i Ben Alisë ishte moment kyç kthese dhe më se i domosdoshëm për këtë popull. Por pritjet janë të mëdha. Dhe gati gjithmonë, realiteti ngecë mbrapa pritjeve. Një nga enigmat kokëçarëse të këtij sistemi që e quajmë demokraci është se ajo nuk rezulton domosdoshmërisht me prosperitet ekonomik. Të paktën jo në të ardhmen e afërt. Në anën tjetër, ka plot raste kur sistemet autoritare kanë prodhuar rritje ekonomike. Kjo ka ngjarë edhe me regjimin e Ben Alisë. Edhe pse sistemi ishte totalitar dhe një pjesë e madhe e popullit jetonte në varfëri, ekonomia ishte rritur vazhdimisht. Tash që ka «ardhur demokracia», njerëzit presin që mirëqenia e tyre sociale të përmirësohet në baza ditore. Natyrisht që kjo është vështirë të ndodhë, gjë që shton zhgënjimin e shoqërisë, sidomos të rinjve. Këta, duke pasur qasje në internet dhe rrjetet sociale, duke komunikuar me turistët e kamur perëndimorë, automatikisht bëjnë krahasime me vetveten dhe u rritet dëshpërimi. Shumë nga ta ëndërrojnë ta braktisin vendin për një jetë më të mirë në Perëndim, ndoshta në Francë. Tregim i njohur ky, apo jo, i vendeve në tranzicion.

Muajt dhe vitet e para pas revolucionit ishin plot eufori e shpresë shpërthyese. Mirëpo, çdo herë e më tepër njerëzit ballafaqohen me realitetin dhe kështu shpresa ia lë vendin zhgënjimit. Kjo trajektore u përcoll edhe në zgjedhje: përderisa në raundet e para dalja në to ishte e madhe, në zgjedhjet e fundit lokale mezi dolën 30 për qind të votuesve. Ekonomia është duke treguar shenja lëkundjeje. Dinari tunizian ka pësuar shkallë inflacioni. Qysh tash njerëzit pyesin se pse akoma nuk po materializohen rezultatet e revolucionit. Dhe kujtojnë të kaluarën. «Në kohën e Ben Alisë, barkun e kishim plot, por gojën nuk guxonim ta hapnim. Tash, në kohën e demokracisë, mund të flasim e të bërtasim sa të duam, por zorrët po na këndojnë», më thotë një shitës në lagjen e Medinas. Natyrisht se krahasimet e tilla bëhen nga dëshpërimi, por ky ndoshta është edhe testi më i madh i Tunizisë së sotme: pas përfundimit të suksesshëm të revolucionit, pas instalimit relativisht të suksesshëm të demokracisë, a do të mund shteti ta vendosë vendin në binarët e një ekonomie të shëndoshë dhe egalitare?