Qytetet ku ia vlen më së shumti të jetosh

Një rangim ndryshe i qyteteve botërore, ku ia vlen të jetosh më së shumti. Sipas një instituti britanik.

Melburni. Foto: Production Perig / Shutterstock

Melburni ngel qyteti ku ia vlen më së shumti të jetosh. Sipas një studimi britanik, qyteti australian vjen përpara Vjenës dhe Venkuverit në Kanada. Cyrihu e zë vendin e 15-të. Dy qytete zvicerane e zënë vendin e tretë dhe të katërt në Europë, si qytete më të mirë për të jetuar. Vendin e parë në Europë, sipas rangimit të vitit 2016, e zë Viena. Metropoli tjetër australian, Sidnei, e zë vendin e 11-të në botë si qytet për të jetuar. Shkaku për këtë është rreziku terrorist. Ai më 2014 u bë skenë e një pengmarrjeje të përgjakshme.

Kritere të rëndësishme për vlerësimin e institutit që e ka kryer studimin kanë qenë rendi publik dhe siguria, shkalla e konflikteve, ajo e kriminalitetit dhe ndjenja subjektive e sigurisë. Pastaj janë konsideruar përkujdesja shëndetësore, ambienti, infrastruktura, si dhe oferta për arsim dhe kulturë në një shkallë vlerësimi nga «e akceptueshme» deri te «e padurueshme», transmeton «watson.ch».

Nuk është çudi përse kryeqyteti sirian Damask e zë vendin e fundit. Përpara tij vjen kryeqyteti i Libisë, Tripoli, dhe ai nigerian, Lagos. Autorët kanë përfshirë në listë qytete ku jetohet dhe të cilët dëshirojnë t’i vizitojnë si turistë. Për këtë arsye Kabuli dhe Bagdadi nuk janë vlerësuar fare. Ndër dhjetë qytetet më të vlerësuara janë tre australiane – Melburni, Adelaide dhe Perth, si dhe tre kanadeze – Vencover, Toronto dhe Calgary. Vendin e tetë e zë Auckland i Zelandës së Re, kurse Helsinki e zë vendin e nëntë.

Qytetet më të lakmuara janë në vendet e pasura me një dendësi relativisht të vogël të popullatës. Ata ofrojnë një sërë aktivitesh për kohën e lirë dhe nuk kanë as shkallë të lartë kriminaliteti, as infrastrukturë të ngarkuar. Qytetet e mëdha si New Yorku, Londra, Parisi dhe Tokio – thonë autorët – janë viktima të suksesit të tyre. ks