Qytetari nga Zagrebi që u bë i famshëm në krejt Ballkanin pasi i mallkoi pensionistët është shqiptar, quhet Talat Selmani

Në një deklaratë të shkurtër për një televizion kroat Talat Selmani tha se pensionistët dembelë po e shkatërrojnë shëndetësinë. «Ushtroni, nënën...» - me këtë shfryrje ai u bë hit në mediat sociale kudo në Ballkan.

Talat Selmani.



Para pak ditësh Talat Selmani u ndal para një mikrofoni të një televizioni kroat dhe shpjegoi se gripi nuk ekziston. Dhe mendimit të tij i ra vulë me këtë fjali, që këtu po e japim së pari në kroatisht: «Sramota, penzioneri su uništili zdravstvo. Boli me ruka, boli me noga, sve me boli… Vježbaj, pi**a ti materina!» («Turp, pensionistët e shkatërruan shëndetësinë. Po më dhemb dora, po më dhemb këmba, gjithçka po më dhemb… Ushtro, nënën…». Pastaj Selmani tregon se është 82-vjeçar dhe nuk ka qenë kurrë te mjeku. (https://www.youtube.com/watch?time_continue=15&v=jJVU2C4l9IY)

Brenda katër ditëve paraqitja televizive e Talat Selmanit është shikuar mbi 450 mijë herë në YouTube. Gazeta kroate «Jutarnji list» shkruan se pensionisti vital është nga Shqipëria. Por, burime shqiptare nga Zagrebi thonë se Selmani vjen nga fshati Reçan i Maqedonisë. Ai ka ardhur në Zagreb në vitin 1960. Ka punuar në telekom dhe i ka kyçur shtëpitë në rrjetin telefonik. Kështu ai e ka njohur gjithë Zagrebin. Krahas kësaj pune Talat Selmani thotë se ka qenë edhe maneken (model). «Jo vetëm maneken, por i pari maneken në Jugosllavi. Kam punuar për reklama të Varteksit, Kamenskos, kam reklamuar ushqim, pije, në një reklamë kam luajtur rolin e sheikut për ish-hotelin Interkontinental, që tani quhet Esplanade». Disa reklama ai thotë se i ka xhiruar edhe me gruan e tij, të cilën e quan gruan më të bukur në botë. «Qe 55 vjet jemi të martuar dhe kemi një djalë, i cili po ashtu është më i bukuri në botë. Dhe një nip. Ai që tani, me 5 vjet, është burrë i vërtetë, dhe më i bukuri në botë».

Për mediat kroate Talat Selmani ka dhënë edhe këshilla si duhet mbajtur veten mirë dhe me shëndet të plotë. Ai thotë se kur të zgjohesh në mëngjes, menjëherë ushtro në krevat. Pak me duar, me këmbë, pastaj kur të çohesh shko në banjë dhe fresko gjoksin me ujë të ftohtë, pastaj vishu dhe shko për të ushtruar, jo vetëm të ecësh, por edhe të vraposh, kërcesh, të meditosh në natyrë – dhe ha çfarë të duash, përjetësisht do të jesh i shëndoshë. Kjo është receta e Talat Selmanit. Sipas «Jutarnji list» Talat Selmanin e njohin shumë njerëz që e mbajnë mend Jugosllavinë dhe reklamën për «Pitralonin» (një ujë që përdorej pas rrojës). (dp)