Qytetarët me aplikacionin «Minecraft» dizajnojnë hapësirën publike




Gjelbërim, ndriçim, fushë pingpongu e tenisi, shteg për skeitboard, libra, si dhe hapësira të ndryshme për rekreacion, janë pjesë e projektit i cili do të realizohet në lagjen «Bregu i Diellit» në kryeqytet.

 

Banorë të kësaj lagjeje kanë pasur mundësi që përmes projektit «Bllok pas blloku» të projektojnë hapësirën në të cilën më parë ndodheshin disa objekte të përkohshme, shkruan sot «Koha Ditore».

Hapësira në ish-Tregun e gjelbër në «Bregun e Diellit», ku Komuna e Prishtinës pati intervenuar vjet në rrënimin e barakave, shumë shpejt pritet të shndërrohet në një hapësirë rekreative falë partneritetit të Komunës së Prishtinës me agjencinë e Kombeve të Bashkuara «UN-Habitat».

Të hënën ka përfunduar edhe punëtoria për projektimin e asaj hapësire, ndërkaq është prezantuar edhe projekti final i cili pritet të realizohet me bashkëfinancim nga Komuna dhe «UN-Habitati». Në mbyllje të punëtorisë mori pjesë edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili tha se në një bashkësi duhet që së bashku të merren vendimet për shfrytëzimin e hapësirave publike.