Qytetarët e Shkupit të ndarë rreth sheshit «Skënderbeu»

Një shesh i ri në kryeqytetin maqedonas i emërtuar sipas heroit shqiptar, Skënderbeu, po fillon të marrë formën përfundimtare - por jo të gjithë janë të lumtur për pamjen dhe koston e tij.

Sheshi «Skënderbeu» në Shkup - Foto: BIRN



Për sheshin e ri në Shkup, të emërtuar sipas heroit shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili po shkon drejt përfundimit, ka shqetësime rreth kostos së lartë dhe thirrjen për nacionalizmin shqiptar, si dhe admirimin.

Komuna e Çairit, e dominuar nga shqiptarët, tha se ndërtimi i sheshit, që ka për qëllim nderimin e heronjve shqiptarë, të cilët u lanë anash në projektin e qeverisë së mëparshme «Shkupi 2014», po përfundon.

E vendosur në qendër të qytetit, afër hyrjes së Çarshisë së Vjetër turke, hapësira e re publike është vetëm disa qindra metra larg sheshit kryesor të Maqedonisë në Shkup.

Sheshi do të ketë 8,000 metra katrorë, që janë fituar edhe nga mbyllja e një pjese të Pazarit.

Pjesa kryesore është një statujë e lartë prej bronzi e luftëtarit të famshëm shqiptar, i cili fillimisht u vendos atje në vitin 2007. Sidoqoftë, për qëllime të sheshit të ri, piedestali i saj është rritur ndjeshëm.

Një mural i sapo zbuluar përshkruan skena kyçe nga historia shqiptare, dijetarë të ndryshëm, humanitarë dhe një shumëllojshmëri të luftëtarëve të lirisë.

Muret do të zbukurohen nga një ujëvarë, ujërat e të cilës do të rrjedhin nga lart, nga niveli më i lartë i sheshit deri në nivelin më të ulët.

Muret e disa prej shkallëve janë zbukuruar me muralë që përshkruajnë qytete historike shqiptare dhe shenja të tjera kombëtare, si shqiponja me dy koka, e cila është e lidhur me Skënderbeun, që më vonë u bë simboli kombëtar shqiptar.

Sheshi i ngritur ofron pamjet interesante të Çarshisë së Vjetër, kalasë dhe zonave të tjera në qendër të qytetit. Është e dominuar nga tendat në formë sferike që janë të vetmet gjëra që sigurojnë hije nga dielli ende i nxehtë.

Edhe pse ende nuk është i plotë, pasi që faza përfundimtare e projektit përfshin shtimin e një parkingu nëntokësor, sheshi i ri tashmë ka filluar të tërheqë vizitorë.

«Nuk e kuptoj, por është diçka interesante, duket më shumë si një përkujtimore dhe jo si një shesh, por më pëlqen përshtypja», tha Staffan, një turist suedez i cili ishte në një vizitë në Shkup.

Midis shumicës etnike maqedonase të vendit dhe pakicës shqiptare që përbën rreth një të katërtën e popullsisë, kostoja dhe simbolet i ndajnë në mendime.

«Të gjitha të mirat. Kjo është ajo që unë duhet të them», tha Besniku, një 45 vjeçar shqiptar. «Heronjtë shqiptarë të përshkruar këtu nuk duhet të shqetësojnë maqedonasit, nuk janë të drejtuar kundër tyre, ata janë thjesht simbol i krenarisë kombëtare shqiptare dhe pasi maqedonasit kanë pjesën e tyre të skulpturave, nuk e kuptoj pse shqiptarët nuk mund ta kenë njëjtë», tha ai.

Por Lulzimi, një taksist, i cili është gjithashtu shqiptar, thotë se 14 milionë euro, të paguara nga qeveria përmes komunës, mund të ishin shpenzuar shumë më mirë në gjëra të tjera.

«Pjesa më e madhe e Çairit nuk kanë kanalizime të përshtatshme ose ujë të rrjedhshëm, nuk kemi parkingje dhe pjesa më e madhe e komunës është në kaos, por jo, ata duhet të shpenzojnë paratë për këtë, që unë mendoj se është e bukur por nuk do të thotë asgjë për mua, nuk do ta bëjë jetën time më të mirë», tha Lulzimi për BIRN.

Jasmina, një maqedonase 28 vjeçare që viziton Pazarin e Vjetër për të bërë pazar, thotë se ajo është e shqetësuar nga simbolet e reja shqiptare.

«Për mua, kjo është duke shënuar vetëm territorin». Kjo pjesë (që tregon kah Sheshi i Maqedonisë) është maqedonase, kështu që kjo pjesë tani duhet të jetë shqiptare. Kjo është e gabuar dhe nacionaliste» tha ajo.

Në vitin 2001, një konflikt i armatosur i shkurtër ndërmjet forcave të sigurisë dhe kryengritësve shqiptarë përfundoi me nënshkrimin e marrëveshjes së paqes në Ohër, e cila u dha shqiptarëve të vendit më shumë të drejta.

Çairi udhëhiqet nga partia kryesore shqiptare në vend, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI, udhëheqësit e të cilit më parë kanë udhëhequr kryengritësit, dhe që për tetë vitet e fundit kanë qenë pjesë e qeverisë.

Megjithatë, në vitin 2010 partia ishte e mërzitur nga fillimi i rindërtimit të qytetit «Shkupi 2014», i shtyrë nga kryeministri i atëhershëm, Nikola Gruevski, për të cilin thuhej se injoroi shqiptarët dhe lartësoi vetëm historinë etnike maqedonase.

Në vitet që pasuan, partia minimizoi kritikën e saj, pasi tërhoqi para nga buxheti për sheshin dhe pasi i bindi partnerët e saj të lartë qeveritarë për të shtuar disa statuja të heronjve shqiptarë në rindërtimin masiv të qytetit.