Qyqe, Erdoani tha se Kosova ka probleme me shtetësinë e saj!

Kryetari i Turqisë tha se Kosova ende ka probleme – ndonëse e kanë pranuar 114 shtete. Miletin kosovar të Facebookut e kaploi zemërimi. Por, përse nuk zemërohet askush kur presidenti i Republikës thotë: Kosova mbetet «konflikt i ngrirë» dhe se «bisedimet e Brukselit» nuk zgjidhin problemin e vërtetë mes Kosovës dhe Serbisë?



Ndonëse nuk është politikani i duhur për të dhënë leksione mbi Kosovën, kryetari i Turqisë Rexhep Taip Erdoan, duke folur për referendumin e kurdëve në Irak, tha se Kosova ka probleme me shtetësinë – edhe pse pavarësinë e saj e kanë pranuar 114 shtete. Qyqe, Erdoani tha se Kosova ka probleme me shtetësinë e saj! Zemërimi në mesin e miletit kosovar të Facebookut është i madh. Sërish padishahu i Ankarasë tregoi fytyrën e tij armiqësore ndaj Kosovës. Është e drejtë e secilit njeri të mendojë kështu. Jetojmë në kohën e opinioneve të lira dhe të lira, por edhe të hidhërimit permanent. Mirëpo, edhe ata që e gjykojnë këtë deklaratë vështirë mund të mohojnë një fakt: po, edhe pas gati 10 vite pas shpalljes së pavarësisë Kosova mbetet shtet i papërfunduar dhe ka probleme në konsolidimin e sovranitetit të saj.

Për këtë flasin faktet. Jo më larg se para një muaji kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi, në një editorial për gazetën gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» ishte shumë i hapur. Ai tha se «bisedimet e Brukselit» nuk e zgjidhin problemin e vërtetë mes Kosovës dhe Serbisë. Ky problem është refuzimi i Serbisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Për aq sa gjendja është e tillë, çështja e Kosovës mbetet «konflikt i ngrirë». Nuk janë fjalë të Erdoanit këto, por të Hashim Thaçit. Dhe këtu, i pëlqeu kujt apo jo, Thaçi ka të drejtë.

Kur Erdoani e thotë pothuaj të njëjtën gjë, shpërthen zemërimi, madje histeria antiturke. Kur presidenti i vendit pranon se Kosova ka probleme me shtetësinë e saj, mbretëron heshtja, sepse Erdoani është turk dhe Hashim Thaçi shqiptar. Jo më larg se këtë javë zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, u ankua në një gazetë austriake se BE «nuk po bën asgjë» për t’i bindur pesë shtetet e saj anëtare për ta njohur pavarësinë e Kosovës.

Domethënë paskemi një problem. Dhe për këtë problem nuk është fajtore Turqia. Ajo ka qenë ndër vendet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Që nga viti 2008 gjërat kanë ndryshuar dhe Turqia ka rrëshqitur drejt një sistemi autoritar, me Erdoanin në krye. Por, kjo situatë nuk i ndryshon disa fakte: Turqia ka siguruar disa njohje të rëndësishme të Republikës së Kosovës nga ato vende ku Ankaraja ka ndikim. Dhe ndikimi i Turqisë ka qenë i madh në politikën botërore, së paku deri në korrik të vitit 2016, kur u bë përpjekja për puç dhe këtë aksident të demokracisë turke Erdoani e shfrytëzoi për të filluar një fushatë të ashpër represive kundër çdo kritiku. Ka diplomatë kosovarë, të cilët tregojnë se në vitet e para pas shpalljes së pavarësisë, «kur nuk dinim nga t’ia mbanim, i drejtoheshim qeverisë turke për ndihmë».

Sërish: Erdoani nuk është politikani i duhur për të dhënë leksione mbi Kosovën. Por, po të mos kishte Republika e Kosovës probleme me shtetësinë e saj, atëherë nuk do të tërhiqej kandidatura për anëtarësim në organizatën botërore të policisë, Interpol. Po të mos kishte Republika e Kosovës probleme me shtetësinë e saj, nuk do të dështonte anëtarësimi i saj në nënorganizatën e OKB-së për kulturë, shkencë e arsim UNESCO. Madje kur u votua në Paris në fund të vitit 2015 Kosovës nuk ia dhanë votën vende që e kanë njohur pavarësinë e saj (Polonia dhe Japonia, për shembull). Nëse nuk bëhet ndonjë kthesë e papritur edhe sivjet Kosova nuk do të kandidojë për UNESCO nga frika se do të dështojë sërish.

Po të mos kishte Republika e Kosovës probleme me shtetësinë e saj, sekretari i NATO-s nuk do të njoftonte se e ka takuar Hashim Thaçin – pa i përmendur funksionin. Thua ti se takoi ndonjë shok të fëmijërisë apo ndonjë mik me të cilin pi birra dhe ha peshk nga Norvegjia. Po të mos kishte Republika e Kosovës probleme me shtetësinë e saj, shefat e BE-së nuk do t’i quanin bisedimet e Brukselit si «negociata mes Beogradit dhe Prishtinës», por si biseda mes dy shteteve fqinje dhe të pavarura, Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës.

Po të mos kishte Republika e Kosovës probleme me shtetësinë e saj, do ta kishte nën kontroll mbarë territorin e saj dhe nuk do të ishte e varur nga trupat paqeruajtëse të NATO-s. Po të mos kishte Republika e Kosovës probleme me shtetësinë e saj, nuk do të duronte fusnotën në emrin e saj në takimet rajonale. Po të mos kishte Republika e Kosovës probleme me shtetësinë e saj, atëherë anëtarë të Listës Serbe, e cila është pjesë e koalicionit qeveritar në Prishtinë, nuk do të realizonin vizitën e parë në Moskë dhe shefi i Listës Serbe nuk do të shkonte në Paris për të marrë pjesë në shfaqjen e një filmi, i cili Kosovën e krahason me «Shtetin Islamik». Me atë rast shefi i Listës Serbe tha se Kosova është zemra e Serbisë. A protestoi qeveria e Kosovës për këtë deklaratë?

Jo. Jo, për aq sa dihet publikisht.

Kosova ka aleatë të fuqishëm në botën perëndimore. Kjo botë ka dhënë ndihmë vendimtare për ta bërë Kosovën të pavarur. Por, Kosovës i duhen aleatë në të katër anët e botës për të konsoliduar shtetësinë e saj. Andaj, histeria ndaj një shteti, populli apo politikani të huaj i bën dëm vetëm Kosovës.