Qorr ndaj të verbërve

Për javë të tëra mediet na e kanë çarë kokën me monedhën e re 50-frangëshe në Zvicër. Sidomos në vigjilje të lëshimit të saj në qarkullim para rreth një muaji. Sikur të mos mjaftonte kjo, para një jave një gazetë i dha edhe një dorë këtij muhabeti. Mbase do të pasojnë edhe të tjerë. Në anën tjetër, përse të mos flitet? Ajo është një risi në financat e një valute ndër më të vlerësuarat në botë. Aq më tepër që kjo ishte një lindje e vështirë. Dhe, sa më të mëdha të jenë pritjet dhe vuajtjet, aq më entuziast është edhe promovimi i një vepre.

Sikur e tëra filloi ters. Më 2005 ishte vendosur fituesi i ilustrimit më të bukur për monedhën e re. Pas një kohe doli që propozimi i fituesit të dytë ishte më i mirë për konceptin e saj dhe u adaptua disenji i dytë. Ajo do të shtypej në një letër të paparë deri më tani, të prodhuar enkas për këtë monedhë. Ishte paraparë një thelb prej plastike i ngjeshur nga dy shtresa letre. 50-frangëshi i ri duhej të ishte monedha më e sigurt në botë dhe më afatgjate. Për shtypin e saj ishte autorizuar shtypshkronja e njohur e librave në Zvicër, Orell Füssli. Dhe, mu këtu çaloi puna në tirazhin e parë, më 2011. Nuk dolën mirë shenjat transparente dhe fijet metalike që duhej të tirreshin në këtë letër. Një fat i keq e ka përcjellë prodhimin e kësaj monedhe. Më 2012, një tirazh prej 1’800 monedhash, gjysmë të përfunduara, përfunduan në duart e kontrabandistëve. Hetimet çuan në burgosjen e disa vetave. Për lansimin e saj, më në fund, u desh të rikonstruktoheshin kasetat e bankomatëve, sepse ajo është më e vogël se monedhat e vjetra. Ky përcaktim u ka kushtuar bankave investime prej qindra mijëra frangash. Por, shteti kishte vendosur kështu!

Formati i saj i ndryshëm, në fakt, e ka një funksion fisnik. Ky artikulli i mbramë që spikati në debatin për monedhën e re, i një medie që nuk shquhet patjetër për kualitetin më të lartë gazetaresk, e hulumton perceptimin e 50-frangëshit të ri nga të verbrit. Dhe, ata janë shumë të lumtur me të. Për më tepër, monedha në margjinat e saj ka ca trarë a rreze enkas për identifikimin e saj nga të verbrit. Dhe, kjo nuk është bërë verbërisht. Banka Kombëtare Zvicerane, si bartëse e projektit, pohon që në prodhimin e saj ka bashkëpunuar ngushtë me Federatën e të Verbërve të Zvicrës. Gjurmë të ngjashme do të gjenden edhe në monedhat e tjera të reja që do të shtypen në të ardhmen. Vitin e ardhshëm del 20-frangëshi i ri, ndërsa deri më 2019 edhe të tjerat.

Nga kjo perspektivë, admirimi nuk vlen vetëm për sqimën që e karakterizon mendësinë zvicerane. Nuk është meraku që tregojnë institucionet për grupe të ashtuquajtura margjinale në një produkt me vlerë publike. Ky është vetëm karari që i jep një institucion vëmendjes ndaj tyre. Kjo është vetëm maja e Eisbergut. Kujdesi për perceptimin e 50-frangëshit të ri nga të verbrit dhe monedhave të reja që do të editohen nënkupton një rekord të mirëqenë shumë më të madh: Ky është fakti që të verbrit kanë para nëpër duar. Ai sugjeron që ata kanë së paku pensione, por ndoshta edhe rroga që rrjedhin nga programe të posaçme angazhimi të të verbërve. Që ata nxjerrin para nga bankomati, bëjnë pazar lirisht… Se janë qytetarë të barabartë me të tjerët, madje të privilegjuar.

Si e përgënjeshtron kjo monedhë zvicerane në njëfarë mënyre një poezi të bukur të Ismail Kadaresë. «Janë të dhimbshëm gjithkund të verbrit, por të tillë ngjajnë më shumë në Paris», psherëtinë ai. Pa e kontestuar magjinë e këtij qyteti, në një strofë tjetër, në vend të Parisit mund ta merrnim Gjenevën, Cyrihun, a çiftin e këtyre qyteteve. Ku janë më të dhimbshëm në thelb të verbrit – në Frankfurt, Vjenë, Gjenevë…, apo në Fier, Gjilan, Tetovë…? Apo edhe në Tiranë, Prishtinë e Shkup, nëse dëshironi. Nuk do ta trazojmë më fort vrerin duke e parë më nga afër situatën e këtij komuniteti në këto dy botë, sepse ato janë tmerrësisht të ndryshme.

Është e dëshpëruar t’i kundërvihesh këtij vështrimi me argumentin se kuti që po përdor është jorealist, në një kohë kur në viset e shqiptarëve lekë nëpër duar nuk kanë as ata që janë saksalem dhe shëndosh si molla… Nuk po e konfrontojmë këtë mendësi menjëherë me standardin që një shoqëri vlerësohet me mënyrën se si ajo i sheh grupet e margjinalizuara. Ndonëse në një rreth human ato qasen me përparësi. Mirëpo, nuk është futuristike të protestosh përse të verbrit në shoqërinë shqiptare nuk i shohim në publik. Përse ata mbahen në shtëpi, sepse i shtypin veturat në trotuar… Akoma më keq: Sepse është turp të jesh i tillë. Sikurse ata me të meta të tjera, fizike a mendore. Shpeshherë atje është marre edhe të vësh syze. Madje edhe ata që mbajnë gjyzllikë thirren qorra. Në një shoqëri ku bëjnë be për sytë e ballit. Po, atje gruaja e – të themi – Filanit nuk thirret në emrin e saj, por Filanicë. Ajo është vetëm një aneks i burrit. Në fakt, qorre është ajo shoqëri që nuk e sheh mjerimin ku dergjen këto komunitete. Që nuk ka ambicie dhe kërkesa. Vërtet, qorre është ajo shoqëri që nuk ka elita. Dhe, qorre janë ato elita që nuk i shohin arritjet e mirëfillta të botës së përparuar dhe mallëngjehen vetëm pas ofertave turistike të tyre.