Qeveria zvicerane proteston kundër aktiviteteve të agjentëve rusë

Sipas një analize sekrete çdo i katërti diplomat rus në Zvicër është agjent. Sipas hulumtimeve të mediave zvicerane së fundi cak të operacioneve të shërbimit rus kanë qenë Agjencia Botërore Antidoping (Wada) me seli në Lausanne dhe Laboratori në Spiez afër Bernës.

Parlamenti zviceran në Bernë me alpet në prapavijë. Foto: Shutterstock



Në përfaqësitë diplomatike të Rusisë në Zvicër më shumë se çereku i të akredituarave janë agjentë sekretë. Kështu thuhet në një analizë të shërbimit sekret të Zvicrës. Duke pasur parasysh këtë analizë qeveria qendrore në Bernë në raportin aktual të sigurisë ka tërhequr vëmendjen se një numër i konsiderueshëm i oficerëve të shërbimeve sekrete veprojnë në Zvicër të maskuar si diplomatë. Ndonëse qeveria zvicerane nuk përmend emër, sipas gazetës «SonntagsZeitung» fjala është në radhë të parë për Rusinë. Qeveria e presidentit rus Vladimir Putin dyshohet se ka dhjetëra agjentë të përhershëm në përfaqësitë në Bernë, Gjenevë dhe Zürich.

Sipas hulumtimeve të mediave zvicerane së fundi cak të operacioneve të shërbimit rus kanë qenë Agjencia Botërore Antidoping (Wada) me seli në Lausanne dhe Laboratori në Spiez afër Bernës. Ky laborator, njëri prej më të njohurve në botë, ka analizuar provat në lidhje me sulmin me helm nervor kundër ish-agjentit rus Sergej Skripal, i cili jeton në Britaninë e Madhe. Dy të dyshuar për kryerjen e sulmit në Britaninë e Madhe kishin qëndruar para atentatit disa herë në Gjenevë. Pas zhvillimeve të fundit Ministria e Jashtme e Zvicrës e ka ftuar ambasadorin rus në Bernë dhe i ka bërë thirrje që menjëherë të ndërpriten aktivitetet e spiunazhit në Zvicër. Ambasada ruse i ka quajtur raportet «shpikje». (dp)