Qeveria ua ktheu rreth 342 mijë euro qytetarëve që mblodhën kuponë fiskalë

Për tre muaj, në Administratën Tatimore të Kosovës, janë dorëzuar më shumës se një milion kuponë fiskalë dhe qytetarët përfitojne 341,540 euro si rimbursim.




Lajmin e ka bërë publik ministri i Financave, Avdullah Hoti, transmeton Koha.net.

«Si instrument për krijimin e një ambienti më të mirë për biznes në kushte të barabarta, Ministria e Financave ka zhvilluar stimuj për të kthyer një pjesë të tatimit për konsumatorët që mbledhin dhe dorëzojnë kuponë fiskalë. Kjo me qellim të shtrirjes së fiskalizimit», ka thënë Hoti. «Për tre muaj, 24,263 konsumatorë kanë dorëzuar 22,425 pliko, kurse janë verifikuar 22,401. Në total konsumatoret kanë mbledhur dhe kanë dorëzuar më shumë së 1 milion kuponë fiskalë», ka thënë më tej Hoti.

Gjithnjë sipas ministrit, deri me 15 shtator 2015, janë procesuar për pagesë 22,200 pliko ose 99.96 % e numrit të plikove të verifikuara.

«Shuma e përgjithshme për rimbursim për qytetarë është 341,540 euro. Nga tetori ka filluar pranimi i plikove të rundit tjetër».