Qeveria: Sulmi ndaj Selimit dëshmon përpjekjet e VV-së për të penguar suksesin e Republikës

Qeveria e Kosovës ka reaguar në lidhje me incidentin e sotëm të ndodhur pranë ndërtesës së Qeverisë kur aktivistë të Vetëvendosjes gjuajtën me vezë zëvendësministrin e jashtëm Petrit Selimi.




Qeveria thotë se aktet e sotme, që janë në vazhdën e sjelljeve të dhunshme të kohëve të fundit të kryera nga kjo Lëvizje e të mbështetura nga partitë tjera opozitare, janë të drejtuara kundër institucioneve legjitime dhe vullnetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

«Ky sulm, i kryer pikërisht në kohën kur zoti Selimi dhe të gjithë bartësit e tjerë të institucioneve të Kosovës po angazhohen fuqishëm për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe organizatat e tjera ndërkombëtare, si dhe në proceset e integruese evropiane, duke filluar nga liberalizimi i vizave dhe nënshkrimi i MSA-së, dëshmon papërgjegjshmërinë si dhe përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar suksesin e Republikës së Kosovës, në këto procese vitale për të ardhmen e vendit», thuhet në reagimin e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës ka ftuar sërish përfaqësuesit e opozitës që të heqin dorë nga aktet e dhunshme që cenojnë punën e bartësve legjitim të institucioneve dhe organeve të pavarura shtetërore, «si dhe që të jenë pjesë e angazhimeve institucionale për fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e Bashkimit Evropian».