Qeveria: Sjellja e opozitës s’i kontribuon aspak qytetarëve dhe të vendit

Përkundër vullnetit të Kryeministrit dhe të Qeverisë së Kosovës që të raportojnë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe qytetarëve, sot, deputetët e opozitës, në kundërshtim me mandatin e tyre, Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, me sjelljen e tyre, e bënë të pamundur raportimin.




Kështu thuhet në reagimin dërguar mediave të Qeverisë së Kosovës.

«Qeveria e Republikës së Kosovës konsideron se Kuvendi duhet të krijojë kushte për raportim, në bazë të Kushtetutës dhe të ligjeve, si dhe vlerëson se askush nuk ka të drejtë të pamundësojë punën e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës», theksohet në reagim.

Qeveria, përmes këtij reagimi, edhe një herë ka dënuar aktet e dhunës dhe veprimet e sotme të deputetëve të opozitës.

«Sjellja e sotme nuk është aspak në dobi të qytetarëve dhe të vendit tonë», thuhet më tej në reagimin e Qeverisë.

Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh gatishmërinë që kurdo që Kuvendi të arrijë të krijojë kushte të punës, të raportojnë për marrëveshjet e arritura.

«Qeveria e Republikës së Kosovës garanton se të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel janë në përputhje të plotë me ligjet dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, se institucionet e Kosovës kanë mbështetjen e plotë të vendeve mike, të BE-së dhe të SHBA-ve në këtë proces, si dhe, bashkë me këta partnerë, vlerëson se ato do t’u hapin rrugë integrimeve sa më të shpejta euroatlantike të vendit», përfundon reagimi.