Qeveria shqiptare miraton kontratën e koncesionit 300 milionë euro të Rrugës së Kombit

Shqiptarët që do të kalojnë në këtë rrugë do të detyrohet të paguajnë 5 euro për kalim ndërsa buxheti i shtetit do t'i japë kompanisë menaxhuese edhe 65 milionë euro të tjera.

Në të ardhmen kalimi nëpër «Rrugën e Kombit» do të kushtojë 5 euro.



Qeveria shqiptare miratoi kontratën e koncesionit të Rrugës Milot-Morinë, me konsorciumin e kompanive «CATALYST VIVA DAS GENERAL CONTRACTING, LLC – SALILLARI, SH.P.K – BEE TECH – VIOLIAP ATEVE – KASTRATI, SH.A», një koncesion që pritet t’i kushtojë shqiptarëve mbi 300 milionë euro në 30 vitet e ardhëshme. Njoftimi i qeverisë u publikua në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave ndërsa kontrata nuk është publike.

Sipas dokumenteve të tenderit, kompania koncesionare premton të investojë për përfundimin e disa segmenteve të rrugës si dhe për mirëmbajtjen e saj në këmbim të një pagese vjetore për rreth 13 vjet prej 5 milionë eurosh në vit. Gjithashtu, trafiku aktual i rrugës prej 4’200 mjetesh në ditë pritet t’i japë kompanisë koncesionare prej mbi 6 milionë euro në vit ndërkohë që rritja e trafikut përgjatë dekadave të ardhshme pritet të japë të ardhura shtesë për kompaninë.

Kontrata koncesionare iu dha fillimisht një konsorciumi tjetër, por Komisioni i Prokurimit Publik vendosi shfuqizimin e vendimit të shpalljes fitues dhe nxori fitues konsorciumin aktual. Vendimi për dhënien me koncesion dhe vendosjen e pagesës mbi autostradën Milot-Morinë ka shkaktuar disa protesta nga banorët e zonës së Kukësit, të cilët i frikësohen dyfishimit të kostos së udhëtimit drejt Tiranës.

Rruga Milot-Morinë nisi të ndërtohet në vitin 2007 pas një tenderi të shumëdebatuar. Kostoja totale e rrugës vlerësohet në mbi 1 miliardë euro, dy herë më shumë nga sa qe planifikuar fillimisht. Megjithëse janë shpenzuar mbi 1 miliardë euro, një pjesë e rrugës, veçanërisht një numër urash në segmentin Kukës-Morinë kanë mbetur të papërfunduara për shkak të mungesës së parave.

Ky është një nga shumë koncesione që qeveria aktuale ka miratuar dhe që përfshijnë pagesa të drejtpërdrejta nga buxheti i shtetit. Qeveria ka nënshkruar apo pritet të nënshkrojë kontrata koncesionare me vlerë 65 miliardë lekë. Bashkë me koncesionin e rrugës së kombit, kostoja e këtyre koncesioneve mbi buxhetin e shtetit pritet të arrijë në mbi 73 miliardë lekë.

(Botuar fillimisht nga: http://www.reporter.al/qeveria-miraton-kontraten-e-koncesionit-300-milione-euro-te-rruges-se-kombit/)