Qeveria s`e kompenson Ndërmarrjen Publike Banesore të Prishtinës për shpronësim

Qeveria e Kosovës vazhdon ta zvarrisë kompensimin e mjeteve për Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë dhe Stacionin e Autobusëve në Prishtinë për shpronësimin e pronave që kishte bërë gjatë viti 2011, me rastin e ndërtimit të rrugëve M9 Fushë-Kosovë – Arllat dhe M2 Prishtinë – Mitrovicë.

Për ndërtimin e rrethrrotullimit në hyrje të Prishtinës, Stacionit të Autobusëve në Prishtinë dhe NPB-së iu morën një sipërfaqe e madhe e tokës dhe vlera e përgjithshme e saj dhe kamata për mospagesë ka arritur rreth 8.5 milionë euro, shkruan sot «Koha Ditore». Në ministritë përkatëse mospagesat për shpronësim i arsyetojnë me numrin e madh të pronave të shpronësuara dhe me mungesë të mjeteve buxhetore.

Rrethrrotullimi ishte ndërtuar në vitin 2011, por që nga ajo kohë Qeveria e Kosovës si investitore në infrastrukturën e unazës, nuk i ka kryer të gjitha obligimet financiare.

Edhe pse palët ishin dakorduar për kompensim, Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor (MMPH), e cila kryen pagesat e shpronësimeve për projekte me interes nacional, nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Qeveria me vendimin që kishte marrë për shpronësim më 3 gusht 2011, ka miratuar edhe një akt të vlerësimit, në të cilin janë caktuar edhe shumat e kompensimit për pronarët që kanë të drejta pronësore dhe interes të ligjshëm nga ky proces.

Nexhat Kryeziu, kryeshef ekzekutiv në NPB, ka bërë të ditur se çështjen e moskompensimit të mjeteve për shpronësim, tani e kanë kaluar tek përmbaruesit privatë dhe presin që ata të veprojnë sipas ligjeve në fuqi.

Obligimet aktuale të Qeverisë ndaj palëve të ndryshme për shpronësimet janë 152.90 milionë euro. Ndërsa në buxhetin e vitit 2016, për shpronësim janë dedikuar vetëm 27.240.544 euro, ndërsa nuk specifikohet se cili subjekt do të kompensohet.