Qeveria pranon në Strazburg të rihapë hetimet për 21 janarin

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut mbylli çështjen Veizi dhe Deda kundër Shqipërisë pasi ankuesit dhe qeveria shqiptare arritën një marrëveshje në të cilën qeveria pranon të paguajë dëmshpërblime dhe të rihapë hetimet për ngjarjen tragjike të 21 janarit.

Ceremonia përkujtimore e 21 Janarit 2016. Foto: Ivana Dervishi/BIRN



Gjykata e Strazburgut vendosi mbylljen e çështjes së familjarëve të dy viktimave të 21 janarit kundër qeverisë shqiptare me një vendim të 20 prillit 2017, pasi pranoi zgjidhjen me negociata mes ankuesve dhe qeverisë, zgjidhje në të cilën qeveria pranon të dëmshpërblejë familjarët e viktimave me rreth 109 mijë euro, pranon shkeljen e neneve 2, 13 dhe 16 të konventës dhe premton rihapjen e hetimeve.

Letra e qeverisë për mbylljen me negociata të çështjes, u dorëzua në Strazburg në dhjetor 2016 ndërsa avokati i familjeve të viktimave Dorian Matlija dorëzoi në emër të ankuesve më mars letrën që konfirmonte zgjidhjen e çështjes me kompromis.

«Qeveria merr përsipër të rihapë procedimin penal vendës për këtë çështje», shkruhet në letrën e dërguar nga qeveria në gjykatën e Strazburgut.

Tre gjykatësit e seksionit të parë të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut vërejtën se marrëveshja bazohet në «respekt të të drejtave të njeriut siç është përcaktuar nga Konventa dhe Protokollet e saj dhe për rrjedhojë nuk sheh arsye për të vijuar ekzaminimin e aplikimit».

Dorian Matlija, drejtori ekzekutiv i qendrës Res Publica, u shpreh se: «Në emër të ankuesve, e vlerësojmë gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të pranuar një zgjidhje me pajtim të kësaj çështjeje përpara Gjykatës Evropiane. Kjo zgjidhje, e pranuar nga Gjykata Evropiane si në përputhje me Konventën, duhet të pranohet tashmë edhe nga organet tona të drejtësisë, në mënyrë që të rikthehet besimi i publikut te drejtësia. Ky është një test i fortë».

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, fondacioni që ka mbështetur familjarët e viktimave në proceset e shumta gjyqësore tha se «Qëndrimi i sotëm i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut na sjell një hap më pranë të bërit drejtësi për një prej ngjarjeve më të rënda të tranzicionit demokratik në vend. Tashmëi takon Prokurorisë dhe gjykatave të kryejnë një hetim të plotë të ngjarjes, jo vetëm për të ndihmuar në zbutjen e dhimbjes së familjeve të viktimave, por edhe për të garantuar të drejtën e jetës dhe të protestës civile».

Qeveria aktuale pati hapur fillimisht bisedime me familjet e viktimave në vitin 2014, të cilët humbën jetën gjatë një proteste të Partisë Socialiste në atë kohë në opozitë, por qeveria e kryeministrit Edi Rama refuzoi një kompromis, gjë që e detyroi palën tjetër të drejtohej për në Gjykatën e Strasburgut.

(https://www.reporter.al/qeveria-pranon-ne-strazburg-te-rihape-hetimet-per-21-janarin/)