Qeveria: Nuk është rritur akciza në naftë

Përmes këshilltarit të kryeministrit për ekonomi, Sokol Havolli, Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj lajmit se është rritur akciza në naftë.




«Nuk është rritur akciza në naftë. Është hequr dogana në propan, butan dhe gaz. Heqja e doganës është zëvendësuar me rritje të akcizës në po të njëjtat lëndë, propan, butan dhe gaz», ka thënë Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa. «Ky ndryshim nuk ka efekt në çmime të këtyre lëndëve djegëse në treg, por vetëm e plotëson një kërkesë të Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Akciza në naftë mbetet e paprekur», ka shtuar më tej ai.

Mediat, gjatë ditës kanë raportuar se kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për vendosjen e normës së tatimit të akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet tjera.