Qeveria ndërhyn në konfliktin lidhur me studimet e retoromanishtes

Shkolla e Lartë Politeknike e Cyrihut, ETH, e ka fshirë kontributin e saj për drejtimin studimor të retoromanishtes në Universitetin e Cyrihhut. Qeveria paralajmëron ndërhyrjen në këtë çështje me qëllim që të vazhdojë studimi i retoromanishtes, gjuhës së katërt zyrtare, të një komuniteti të vogël në kantonin e Graubündenit.

ETH Zürich. Foto: e X p o s e / Shutterstock.com

Qeveria e respekton vendimin që ETH-ja nuk dëshiron ta përmbushë kontributin e saj financiar për drejtimin e retoromanishtes në universitet. Por, ajo shprehet e gatshme të ndërhyjë nëse paraqitet nevoja, e transmetojnë mediat zvicerane agjencinë e lajmeve të këtij vendi, sda.

Nëse paraqitet nevoja, Qeveria është e gatshme të ndërmjetësojë midis kantoneve të prekura dhe shkollave të larta, me qëllim që të vazhdojë të ketë një ofertë të përshtatshme shkollimi në këtë gjuhë, përkatësisht drejtim. Kjo në fakt është përgjigja e Qeverisë dhënë një deputeteje të Partisë Socialdemokrate të Zvicrës nga Graubündeni, kantoni ku jeton komuniteti i vogël autokton i retoromanëve në Zvicër. Ajo dëshironte të dinte nga ekzekutivi se si do ta siguronte Qeveria një studim të kualifikuar të retorumanishtes.

Qeveria në përgjigjen e saj siguron që Federata do ta përkrahë kantonin e Graubündenit në ruajtjen dhe avansimin e gjuhës retoromane, e cila është gjuha e katërt zyrtare në Zvicër. Përgjigja e Qeverisë apelon në autonominë e ETH-së dhe atë të kantoneve në përpilimin e ofertës studimore.

Njoftimi se ETH-ja do ta fshinte kontributin e saj prej 100’000 frangave zvicerane për funksionin e kryeasistentit të drejtimit studimor të retoromanishtest në Universitetin e Cyrihut në fundd të 2018-tës kishte ardhur në fillim të shtatorit. Ndërkaq Qeveria e Graubündenit kërkon nga ETH-ja ta kthejë këtë vendim. ks