Qeveria lavdëron performancën e sivjetme e shpenzimeve dhe të hyrave

Në mbledhjen e Qeverisë sot është miratuar projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Qeverisës së Republikës së Kosovës dhe Unicredit Bank Austria AG, për financimin e projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, njofton kumtesa nga Kryeministria, transmeton Koha.net.

Edhe Rregullorja për shitjen me pakicë të obligacioneve të Qeverisë së Republikës së Kosovës ka marrë aprovimin e kabinetit qeveritar, e cila rregullon procesin e emetimit të obligacioneve që shiten te investitorët që janë persona fizik.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar Strategjinë për trajnime të nëpunësve civilë për vitet 2016-2020 dhe Planin e Veprimit. Kjo Strategji synon të krijoj shtresë kritike të nëpunësve civil me njohuri dhe shkathtësi adekuate, që do ta afrojnë Kosovën në procesin e integrimit në strukturat evropiane.

Në mbledhje është aprovuar kërkesa e Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për konfirmimin e interesit publik, në mënyrë që të bëhet lëshimi i licencës për shfrytëzimin e thëngjillit nga Korporata Elektroenergjike e Kosovës Sh.A. KEK.

Kabineti ka aprovuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për pagesën e kontributeve të anëtarësisë në Asociacionin Ndërkombëtar të Sigurisë Sociale për vitin 2014 dhe 2015. Po ashtu, kabineti ka aprovuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Organizatën Joqeveritare për projektin për rritjen e përfshirjes së të diplomuarve të pakicave në nivelin qendror dhe lokal të Administratës Publike.

Kryeministri Mustafa vlerësoi qasjen pozitive ndaj pakicave të Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për realizimin e fazës së fundit të Regjistrimit aktiv të Diasporës mori miratimin e kabinetit qeveritar.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar është informuar lidhur me Raportin për Performancën e të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore në periudhën janar-maj të këtij viti. Kjo periudhë karakterizohet me aktivitet të shtuar ekonomik krahasuar me periudhën e njëjtë të viti 2015.

Të hyrat buxhetore në total kapin shifrën prej 604 milion e 900 mijë euro dhe janë më të larta për 123.9 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Edhe shpenzimet buxhetore kanë shënuar rritje për 6.4 për qind dhe kapin shifrën në total prej 564 milion e 300 mijë eurove.