Qeveria: Kërcënimet e Haradinajt për vijën kufitare nuk janë argumente

Zyra e Kryeministrit të Kosovës reagon ndaj deklaratës së Ramush Haradinajt lidhur me Marrëveshjen për vijën kufitare në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.




«Kufiri me Malin e Zi, si edhe me vendet tjera fqinje, nuk caktohet sipas vullnetit të individëve apo partive politike, por mbi bazë të dokumenteve të cilat i vërtetojnë komisionet profesionale dhe i propozojnë Qeverisë dëshmimin e vijave kufitare», thuhet në reagimin e Qeverisë së Kosovës.

«Vija kufitare me Malin e Zi është ajo mbi të cilën është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës dhe në të cilën është njohur Kosova si shtet sovran dhe i pavarur. Z. Haradinaj, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si edhe çdo qytetar, ka të drejtë të argumentoj me dokumentacion konkret nëse ndonjë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, qoftë pronë e tij apo pronë publike, ka kaluar në Malin e Zi. Asnjë argument të tillë me shkrim, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka marrë deri më sot. Andaj, kërcënimet e z. Haradinaj, nuk janë argumente, por flasin për mungesën e argumenteve», potencohet në reagimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, raporton Koha.net.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi që ka zhvilluar me banorët e zonës kufitare me Malin e Zi, u ka thënë se kufiri nuk është çështje partiake dhe se ata duhet të bisedojnë më të gjithë.

Ai u ka premtuar atyre se do të bëjë të pamundurën që kufiri të caktohet drejt dhe ata që e kanë bërë këtë ngatërresë, krejtësisht të panevojshme, ta marrin dënimin e merituar.

Ndërkaq, vetë banorët e moshuar të kësaj ane, me plot emocion kanë folur për zhdukjen e varrezave të shqiptarëve në Kullë, dhe kanë deklaruar se me marrëveshjen për Demarkacionin është ndarë Rugova për gjysmë.