Qeveria jonë duket si mafi, por është për mrekulli

Një shënim për fotografinë zyrtare të qeverisë zvicerane për vitin 2017. Një moment për t’u gëzuar: është qeveria e mbi 200 mijë shqiptarëve.

Grup mafioz? Jo. Qeveria e Zvicrës. Foto: Schweizerische Bundeskanzlei.



Si çdo vit edhe sivjet rituali i njëjtë: qeveria zvicerane ka publikuar fotografinë zyrtare – për vitin 2017. Kjo fotografi tregon përbërjen e qeverisë, Bundesrat (gjermanisht), Conseil federal (frëngjisht), Consiglio federale (italisht), Cussegl federal (retoromanisht), këshilli federal do t’i binte në shqip po të përkthehej fjalë për fjalë, por, në fakt, shkurt e shqip, thuhet: qeveria e Zvicrës. Është qeveri edhe e mbi 200 mijë shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, shumë prej tyre tashmë shtetas zviceranë, taksapagues, të angazhuar në politikë, në shoqata, në institucione të llojllojshme shtetërore, në ndërmarrje të mëdha dhe firma të vogla, shpeshherë edhe vetë pronarë firmash.

Qeveria e Zvicrës ka shtatë anëtarë. Në fotografinë zyrtare shihen ministrat dhe kancelari federal, i cili nuk duhet të ngatërrohet me postin e kancelarit në Gjermani. Atje kancelari (apo kancelarja) është shef (shefe) e qeverisë. Në Zvicër kancelari federal është shef i shtabit të qeverisë dhe merret me shumë punë organizative. Ekzistojnë disa rregulla si bëhet fotografia zyrtare e qeverisë. Në të duhet të bien në sy sidomos presidenti dhe zëvendëspresidenti. Zvicra nuk ka post të veçantë të presidentit, por çdo vit njëri nga ministrat ushtron këtë detyrë. Në 12 muajt e ardhshëm presidente është Doris Leuthard, ministre për energji, transporte, ambient dhe komunikim.

Si çdo vit edhe sivjet rituali i njëjtë… Jo. Sivjet fotografia zyrtare e qeverisë është e pazakonshme, e jashtëzakonshme, nuk i përngjan atyre të viteve të kaluara, ku shiheshin ministra dhe ministre përreth tavolinës apo diku në natyrë. Sivjet ministrat zviceranë kanë zgjedhur një motiv që i paraqet ata – varësisht nga interpretimi i vëzhguesit – si yje të muzikës rok, si mafiozë, gangsterë ose – politikanë, çfarë në të vërtetë janë. Nëse e shikoni këtë fotografi – çfarë ndërlidhje mund të krijoni? Natyrisht me ballinën (cover) e albumit «Queen II» nga viti 1974. Ose me posterin e filmit «GoodFellas», ku prezantohen tri dekada të mafisë. Natyrisht nga regjisori Martin Scorsese.

Qeveria e Zvicrës mund të koketojë me imazhe të tilla dhe këtë shtypi e pranon, madje sot gazetat zvicerane e quajtën fotografinë madhështore. Sepse mediat e dinë se Zvicra, përkundër ndonjë skandali të vogël, është vendi me njërën prej qeverive më solide, më serioze dhe më të pakorruptuara në botë. Gazeta «Neue Zürcher Zeitung» pyet: ç’është kjo fotografi? «Leuthard Family»? «Downton Bundeshaus»? «Bundeshouse of Cards»? «Friends»? Është gjithçka. Dhe bukur. Ata shqiptarë që qeverisen nga ky kabinet mund të jenë shqiptarët më krenarë në Europë. Në stilin e reperëve shqiptarë duhet thënë: Qeveria jonë duket si mafi, por është për mrekulli!