Qeveria i raporton Kryesisë së Kuvendit për marrëveshjet me Serbinë

Kryesia e Kuvendit të Kosovës bën me dije se ditën e nesërme do të mbajë takim me kryetarët e grupeve parlamentare.




Megjithëse ditën e djeshme, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se Mustafa nuk do të raportojë më për Marrëveshjet, Kryesia e Kuvendit e ka demantuar atë.

Sipas një njoftimi të lëshuar nga Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, rendi i ditës për mbledhjen e nesërme të Kryesisë së Kuvendit parasheh edhe pikën e papërfunduar nga seanca plenare më 22 shtator 2015, që ka qenë «Raportimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me Marrëveshjet e arritura në Bruksel më 25 gusht 2015», raporton Koha.net.

Ndër të tjera, në këtë mbledhje, si pika tjera të rendit të ditës janë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare më 17 shtator 2015, si: Interpelanca e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Letërnjoftimin, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, Emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas, Emërimi i anëtarit të Komisionit për Kërkesa Pronësore, si dhe Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.

Ndërkaq, në këtë mbledhje do të bëhet edhe Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes Bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: «KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës», Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Zonën e Rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rreth tij, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Energjinë Termike, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Dizajnin Industrial, Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Shqyrtimi i Raportit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, Emërimi i anëtarit të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, si dhe Propozimi i grupeve parlamentar për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Veç këtyre pika, do të shqyrtohen edhe propozimet dhe kërkesat e: 7 (shtatë) deputetëve për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, Kërkesa e kryetarit të komunës së Prishtinës për rinovimin e Sheshit «Adem Jashari», si dhe Çështja e financimit të Radiotelevizionit të Kosovës.